Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi ka thënë se institucioneve shtetërore po u bëhet degradimi sistematik nga “partia shtet”.
Në këtë degradim Dushi ka përfshirë edhe Kuvendin, i cili, sipas tij, përfaqëson praktikën e rrezikshme me ngjashmëri të qarta historike me veprimet e liderëve me prirje autoritare.
“Kur udhëheqësit fillojnë të minojnë funksionimin e institucioneve demokratike, kjo shpesh paralajmëron një tendencë drejt konsolidimit të pushtetit personal dhe shtypjes së funksionimit dhe kontrollit demokratik e kushtetues të institucioneve shtetërore”, ka thënë Dushi.
Ai ka përmendur nenin 84.2 të Kushtetutës, që thotë se presidentja ka për detyrë të “garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.
“Fatkeqësisht, në këtë situatë ku Kuvendi është i bllokuar e rrjedhimisht edhe formimi i qeverisë së re është pamundësuar, heshtja e presidentes së vendit është jo vetëm e pakuptimtë por edhe alarmuese”, ka shkruar Dushi.
“Sipas nenit 84.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidentja ka për detyrë të “garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Kjo përgjegjësi nuk është simbolike — ajo nënkupton një obligim aktiv për të ndërhyrë kur institucionet nuk funksionojnë. Mungesa e veprimit në një situatë të tillë e bën presidenten bashkëpërgjegjëse për degradimin që po i ndodh shtetit të Kosovës dhe institucioneve më të rëndësishme të tij”, ka thënë ai.