Me rastin e 620 vjetorin e lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu, organizata “Shqiptaria” ka ftuar stërnipin e tij Loris Castriota Skanderbegh që të merr pjesë në organizimet e kësaj organizate, i cili ka arritur sot në Prishtinë nga Foggia – Italia.
Loris Castriota Skanderbegh, u shpreh se në Kosovë ndihet sikur në shtëpinë e tij. Ai ka edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar, pasi vetëm kështu mund t’i tregojnë botës mbi rëndësinë e madhe të historisë së shqiptarëve ndër shekuj.
“Gjithmonë është një moment i madh për mua të jem këtu, sepse ndihem si në shtëpi kur vij në Prishtinë, në Kosovë, në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që ka një rast të tillë për të festuar ditëlindjen e Gjergj Kastriotit. U gëzova që ishte organizuar një ngjarje e tillë për të festuar Gjergj Kastriotin, sepse unë besoj se gjithmonë duhet të festojmë kujtimin e heroit tonë kombëtar. Shpresoj që Shqipëria dhe Kosova, dhe të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, të jenë gjithmonë të bashkuara, për ta bërë botën të kuptojë sa e madhe është historia e shqiptarëve, dhe sa shumë Shqipëria dhe Kosova meritojnë të respektohen nga të gjithë”, tha ai.
Basri Beka, Kryetar i Këshillit Organizativ “Shqiptaria”, tha se festa që do të organizohet më 6 maj do të mbahet për të rritur kujtesën historike për heroin e madh shqiptar Gjergj Kastrioti.
“Ne jemi të nderuar me ardhjen e stërnipit të heroit tanë Gjergj Kastriotit dhe besoj që të martën, më 6 maj, do të kemi festë ashtu si e meriton një hero i kombit Gjergj Kastrioti. Kjo festë mbahet për të rritur kujtesën historike për heroin tonë dhe besoj se do të jetë një festë madhështore. I kemi ftuar, janë pjesë e agjendës, varet ende konfirmimin nuk e kemi marrë, por në institucione lokale është edhe i ftuar”, shtoi Beka.
Bashkorganizatori i eventit Qëndrim Kryeziu tha se pjesë e festës madhështore të 6 majit do të jenë grupe të mëdha folklorike dhe fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare.
“Ashtu sikur dy vjetët e kaluar që kemi bërë një event të mrekullueshëm, kësaj radhe do të jetë edhe më i jashtëzakonshëm. Presim grupe më të mëdha folklorike që do të performojnë si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Presim edhe të gjithë fëmijët që janë nisur sot nga Tirana, Shkodra, Mirdita e Lezha drejt Prishtinës. Nuk mungojnë as grupet e Shkupit, Strugës, të cilët do të vinë nesër gjatë ditës. Edhe Komuna e Prishtinës na ka premtuar se fëmijët do të jenë në shesh edhe nga Klina, Malisheva e Deçani. Kemi nevojë ta duam më shumë vendin dhe të punojmë më shumë për vendin tonë”, u shpreh Kryeziu.
Për herë të katërt, organizata “Shqiptaria” po e organizon këtë event në shënimin e datëlindjes së Skënderbeut për kujtuar dhe lartësuar figurën e Gjergj Kastriotit.
Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, më 6 maj do të mbahen aktivitete të ndryshme në Prishtinë.
Aktivitetet do të fillojnë nga ora 12:00 me simpoziumin shkencor në Institutin Albanologjik, ku do të marrin pjesë historianë nga të gjitha trevat shqiptare, për të vazhduar me ekspozitën e artit në sheshin “Nënë Tereza”, programin për fëmijë dhe më pas koncertin festiv me yje të estradës Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Kastriot Tusha e të tjerë, ndërsa do të vazhdojë pas orës 20:00 me grupet e të rinjve dhe yjet e rokut kosovar.
Datëlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu u shënua në mënyrë madhështore edhe vitin e kaluar në Prishtinë, për çka edhe u kërkua që kjo ditë të hyjë në ditët e festave kombëtare.