Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, lidhur me krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit
Rexhepi ka theksuar rëndësinë e diversitetit dhe kontributit të të gjitha grupeve etnike në ndërtimin e një Kosove multietnike dhe ka mbrojtur rolin e komuniteteve jo-shumicë në zhvillimin e vendit.
“Republika e Kosovës nuk është shtet i një shumice – por i të gjithë qytetarëve. Z. Abdixhiku ka të drejtë të jetë krenar që është shqiptar dhe unë e respektoj dhe e vlerësoj jashtëzakonisht këtë. Por njësoj, Emilija Redžepi është krenare që është boshnjake, Rasim Demiri është krenar boshnjak, Fikrim Damka është krenar që është turk, Fidan Jilta është krenare turke, Albert Kinolli është krenar që është rom, Elbert Krasniqi është krenar egjiptian, Nenad Rašić është krenar serb, Artan Aslani është krenar ashkali dhe shumë të tjerë…
Komunitetet jo-shumicë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e Kosovës multietnike. Injorimi i rolit të tyre dhe sulmet perfide nuk janë politikë evropiane. Spinimet nuk mund t’i zëvendësojnë faktet. Respekt, barazi, përgjegjësi e përbashkët”, ka thënë Rexhepi.
Ky reagim ka ardhur pas deklaratave të Abdixhikut, i cili ka cilësuar disa përfaqësues të komuniteteve minoritare si të instrumentalizuar dhe të përdorur nga Vetëvendosja për të sulmuar LDK-në.
Ai kishte theksuar se kërkesa për bashkim dhe unitet politik mes shqiptarëve nuk është një krim, dhe se përfshirja e grupeve minoritare është gjithmonë e mundur përmes një konsensusi politik.
Në reagimin e tij gjatë së mërkurës, Abdixhiku ka theksuar se në Kushtetutën e Kosovës, përfshirja e komuniteteve jo-shumicë është e garantuar dhe ka qenë gjithmonë e mundur përmes konsensusit politik ndërmjet partive shqiptare.