Qeveria në detyrë ka mirëpritur kërkesën e Parlamentit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të shprehur në rezolutën e miratuar një ditë më parë nga PE-ja.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu tha për RTV21 se masat ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë pasi, sipas tij, ato po mbahen padrejtësisht.
“E mirëpresim qëndrimin e shprehur nga Parlamenti Evropian në lidhje me masat ndaj Kosovës në raportin e tyre të fundit, ku kërkohet largimi i menjëhershëm i masave të Bashkimit Evropian ndaj vendit tonë. Kjo kërkesë i shtohet atyre paraprake të shumta nga vetë Parlamenti Evropian por edhe rekomandimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrel për largimin e tyre. Ritheksojmë se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës mbetet e padrejtë. Ato duhet të hiqen sa më parë, gjersa u vendosën padrejtësisht, dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht”, tha Kadiu.