Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur pas takimit që pati me liderët e partive politike për të gjetur një rrugë për tejkalimin e krizës së konstituimit të kuvendit.
Osmani tha se mos-konstituimi i institucioneve mund t’i duket dikujt se dëmton “vetëm politikanë apo parti të caktuara, por pasojat kryesore i bart vendi”.
“Kjo është arsyeja pse në zbatim të kompetencave kushtetuese që i takojnë institucionit të presidencës kam ftuar partitë kryesore për të diskutuar rrugën përpara për sa i përket konstituimit të kuvendit”.
“Kushtetuta e Kosovës ndër parimet themelore parasheh se parimi i ndarjes së pushteteve është një nga vlerat dhe parakushtet e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe një ndër shtyllat është legjislativi”.
“Në situatën aktuale me mungesën e kuvendit funksional po rrezikohet ky parim kushtetues. I kam inkurajuar partitë politike që në funksion të realizimit të këtij parimi kushtetues të gjejnë zgjidhje për konstituimin e kuvendit që do të hapte rrugë për krijimin e qeverisë”, tha Osmani.
Më tej, Osmani tha se ky ishte vetëm takimi i parë dhe nëse shihet e nevojshme do t’i ftojë në takim liderët e partive individualisht, për të vazhduar më tej me formate të tjera.