
Në 5 muajt e parë të këtij janë evidentuar 611 raste të reja me kancer në Klinikën e Onkolgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Përveç luftës me këtë sëmundje të rëndë, pacientët po përballen edhe me mungesë të ilaçeve.
Ata edhepse po kurohen në Onkologji, barnat që mungojnë duhet t’i sigurojnë vetë.
Këtë e tha për Front Online, drejtori i kësaj klinike, Ardian Millaku.
“Për momentin kemi një furnizim të mirë, por mungojnë disa barna, kjo varet pak edhe prej procedurave që janë e sipër, por shpresoj që barnat që mungojnë duhet me ardhë, disa prej tyre janë duke munguar. Zakonisht janë duke munguar këto të terapive, pak terapia hormonale, disa prej tyre janë, por një pjesë janë duke munguar, sidomos javën e fundit. Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, besoj që po, është problem edhe për pacientët që duhet me i siguru edhe vet”, tha ai për Front Online.
1 infermier në Onkologji kujdeset për rreth 50 pacientë, ka mungesë edhe të barnave
Për këtë klinikë po del të jetë problem edhe mungesa e infermierëve.
Millaku thotë se onkologjia brenda ditës frekuentohet nga 250 të sëmurë, ndërsa një infermierë kujdeset për 50 pacientë.
“Është e vërtetë që kemi numër shumë të vogël të infermierëve që merren me këto. Në ditë është qarkullim i madh i pacientëve, diku 200 deri në 250 raste në ditë që marrin terapi dhe shërbime të ndryshme. Një infermierë kujdeset diku për 40-50 pacientë brenda ditës, në sallë i kemi dy tre infermierë, këta japin maksimumin e vet për shkak që iu bjen shumë angazhim, por për momentin nuk kemi probleme, vetëm që kemi këtë pritjen e pacientëve që po ndodh për shkak të mungesës të infermierëve”, u shpreh ai për Front Online.
Madje, për këto mungesa, Millaku thotë se iu kanë adresu vazhdimisht Ministrisë së Shëndetësisë.
“Po disa herë e kemi bërë. Këto kërkesa janë bërë në vazhdimësi, por nuk e dimë arsyen, ose për shkak të buxhetit ose të procedurave të tjera, ne kemi dëshirë që të furnizohemi edhe me barna edhe me infermierë”, deklaoi Millaku.
Drejtori i SHSKUK-së: Kemi nevojë për infermierë, e kemi adresuar kërkesën tek ministri Latifi
Front Online ka folur edhe me drejtorin e Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, i cili e pranoi se kanë nevojë për infermierë.
“Ne kemi nevojë për shtimin e numrit të infermierëve, në shumicën e klinikave kemi nevojë për infermierë në bazë të vendeve të lira që i kemi në QKUK, sa na lirohen ne shpallim konkurs për pranimin e infermierëve. Tani planifikojmë të pranojmë 30 infermierë të rinjtë, por prapë se prapë ne kemi nevojë numër shumë më të madh të infermierëve”, tha ai për Front Online.
Pikërisht për këtë, Krasniqi tha se kanë folur me ministrin e Shëndetësisë dhe janë duke e shqyrtuar mundësinë.
“Ne kemi bisedu edhe ministrin e Shëndetësisë është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë që ka në dispozicion për me e rrit numrin e të punësuarve në nivel të SHSKUK-së, në veçanti të infermierëve, edhe në QKUK edhe në spitalet e përgjithshme”, tha ai në një bisedë telefonike”, tha ai për Front Online.
Vetëm gjatë vitit 2021, në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, janë identifikuar 1 mijë e 626 raste të reja me sëmundje të kancerit.











