Një rast me përmasa ndërkufitare ka alarmuar autoritetet në Prishtinë, pasi një person dyshohet se ka blerë armë në mënyrë të ligjshme në Kosovë, por më pas i ka shitur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, duke shkelur rëndë dispozitat për mbajtje dhe qarkullim të armëve.
Sinjali mëson se më 21 maj 2025, Policia ka pranuar informacion zyrtar nga MPB, sipas të cilit, Shpend Smirqaku, 27 vjeçar ishte pajisur me dy leje për armë të shkurtra sportive, por ekzistonte dyshimi i fortë se ato armë i kishte nxjerrë jashtë vendit dhe i kishte shitur në Shqipëri.
Hetuesit kanë reaguar menjëherë duke identifikuar dhe shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor për intervistim në prani të avokatit të tij. Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, ku janë konfiskuar dokumentet dhe lejet e armëve në fjalë.
Gjatë deklaratës para hetuesve, i dyshuari ka pranuar se në vitin 2024, në Çagllavicë, kishte shtënë në ajër me njërën nga armët, si dhe kishte dorëzuar armët me leje një personi në Shqipëri, pa asnjë autorizim ligjor për eksport apo transferim.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj tij janë inicuar veprat penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet relevante, për të verifikuar rrugën që kanë ndjekur armët jashtë territorit të KosoVë.