Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është takuar me Shefen e re të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj të parë në Prishtinë.
Ai tha se e ka informuar për krizën aktuale politike në vend, si dhe për propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse, të cilën e cilësoi si “ide e vetme funksionale sot”.
Abdixhiku u shpreh t’i ketë theksuar edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura gati se dy vite më parë.
Shkrimi i plotë i Abdixhikut:
Sot, takova Përfaqësuesen e Lartë, zv.presidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Prishtinë.
I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret.
E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot.
Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës.