Deputeti Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka bërë të ditur se nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, në asnjë formë – as me votim të hapur e as të mbyllur.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ deklaroi se vota e tij do të mbetet kundër, ndaj çdo kandidati apo kandidateje që sipas tij, është figurë përçarëse, shkruan Insajderi.
“Vendimet dhe qëndrimet e mia do të jenë gjithmonë të hapura, ashtu siç kanë qenë gjithmonë të hapura dhe jo të fshehta qëndrimet e babait tim”.
“Partia e parë, e cila sot kërkon konsensus, është po ajo që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit. Ndërroni kandidaten dhe propozoni një figurë që është e pranueshme për të gjithë, në mënyrë që të ecim përpara me krijimin e institucioneve”, tha Krasniqi.
Tutje, ai u shpreh se çdo përpjekje për ta legjitimuar një proces, sipas tij, të paligjshëm, të ndërtuar mbi marrëveshje të fshehta me Listën Serbe dhe të paraqitur si konsensus i brendshëm, është mashtrim dhe cenim i demokracisë.