Një aksident i rëndē ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ku një veturë ka goditur dy vajza të reja të cilat po kalonin në vendkalimin për këmbësorë. I dyshuari i cili kishte shkaktuar aksidentin, kishte ikur nga vendi i ngjarjes, duke mos u ndalur fare për t’iu dhënë ndihmë e parë dy të rejave. Por ai sot është paraqitur në stacion policor, ku u arrestua.
Sinjali mëson ekskluzivisht se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin ku mbetën të lënduara rëndë dy vajza, është Ardit Gashi, 24-vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Gashit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
Ndërkohë burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se dy vajzat E.G dhe E.L (emra të njohur për redaksinë) janë të moshës 20-vjeçare dhe që të dyja kanë pranuar tretman mjekësor në QKUK. Njëra nga to për shkak të lëndimeve të rënda po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












