Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka deklaruar se nuk sheh rrezik të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë në një konflikt global, pasi sipas tij, Rusia është shumë e dobët për të sfiduar NATO-n. Në një intervistë për kanalin francez LCI, Orbán tha se “rusët nuk mund ta mposhtin dot as Ukrainën, e lëre më NATO-n”.
Duke folur për rrugën drejt paqes, ai tha se fillimisht duhet të arrihet një armëpushim, dhe më pas të zhvillohen negociata paqeje – jo mes Ukrainës dhe Rusisë, por mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sipas Orbánit, “as Evropa dhe as Ukraina nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Rusinë”.
Kryeministri hungarez shtoi se Ukraina nuk është gati për anëtarësim në NATO apo BE, duke thënë se kjo nuk i shërben interesave evropiane dhe hungareze. Megjithatë, ai theksoi se Evropa duhet të jetë e fortë, pasi “Rusia kupton vetëm gjuhën e forcës”.
Orbán shprehu gatishmëri për të pritur presidentin rus Vladimir Putin në Budapest dhe tha se do ta mirëpriste “me krahë hapur” nëse ai vendos të vizitojë Hungarinë. Sa i përket Donald Trumpit, ai u shpreh se, ndonëse nuk është “mesia”, një marrëveshje me të është e mundur – edhe pse e vështirë.
Orbán përfundoi duke përsëritur thirrjen për ndaljen e luftës sa më parë dhe nxitjen e bisedimeve për paqe, në mënyrë që të evitohen viktimat e mëtejshme.