Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktim të masës së paraburgimit ndaj Erdi Marevcit, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Rasti ka të bëjë me incidentin e armatosur që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në lagjen “Aktash” ku mbeti i vdekur një person.
Për këtë rast, në paraburgim gjenden Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi nën dyshimin për vrasjen e Premtim Gashit më 1 shtator 2024 në “Aktash”. Si dhe Vesel Bunjaku, i dyshuar për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit ndaj Marevcit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 minuta në një kafene dhe jashtë saj, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuara mes të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjes Gashi dhe Sekiraqa, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, Marevci së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Dardan Marevcin, dhe tani tani të ndjerin Premtim Gashi, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar të maskuar dhe pajisur me armë, me qëllim që ta privojnë nga jeta Salih Sekiraqën, djalin e tij të mitur Sh.S., dhe Faton Abazin, futen në lokal.
Aty thuhet se me tu futur në lokal, Marevci së bashku me Korab Gashin dhe tani të ndjerin Premtim Gashi, pasi veprojnë me gjuajtje me breshëri të armëve të gjata drejt Salih Sekiraqës, djalit të tij Sh.S., dhe Faton Abazit, fillojnë të tërhiqen nga lokali ku edhe iu bashkohen Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të panjohur që kanë vazhduar gjuajtjen me armën me të pandehurit Sekiraqa dhe Abazi. Thuhet se iu bashkua edhe Robert Llumnica dhe të tjerë, ku të pandehurve Sekiraqa, Abazi dhe Llumnica, iu shkaktojnë lëndime trupore.
Sipas Dosjes, menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, u dërguan për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e tjerë të panjohur- dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota, largohen në drejtim të pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi” dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore- e epërme e lokalit.
Për këto veprime, Marevci dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Po ashtu, Marevci dyshohet edhe se më 10 qershor 2025 rreth orës 8:30 të mëngjesit në Prishtinë i është gjetur në posedim një revole të cilën e mbante pa autorizim.
Prandaj, Marevci po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizim të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.