Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, është takuar sot me ambasadorin e Kinës në Serbi, Li Ming, me të cilin ka biseduar për, siç shkruan në propagandën e radhës, “veprimet e fundit përshkallëzuese dhe të njëanshme të Prishtinës”.
Tema e bisedës, sipas kumtesë së kësaj zyre, ka qenë edhe raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i cili zhvillohet nën patronazhin e Bashkimit Evropian, transmeton Paparaci.
“Petkoviq e ka informuar në detaje ambasadorin Ming për valën e fundit të mbylljes së institucioneve serbe nga ana e regjimit në Prishtinë, i cili, sipas tij, “po bën gjithçka për të vështirësuar jetën e popullit serb dhe për ta dëbuar atë përmes terrorit fizik dhe institucional nga vatrat e tyre shekullore”. Në këtë kontekst, Petkoviqi ka përmendur edhe vendimin e fundit “shqetësues” të gjykatës në Prishtinë që t’u ndalohet serbëve, në festën e Vidovdanin përdorimi i flamujve dhe simboleve serbe, “gjë që përbën një shembull të paprecedent të shtypjes dhe mohimit të të drejtave të popullit serb në Kosovë”, pretendohet në këtë propagandë.
Ai ka thënë se një vendim i tillë, “pa dyshim politik”, ka ardhur menjëherë pas raundit të fundit të bisedimeve trepalëshe në Bruksel, gjë që, sipas tij, “tregon qasjen e Prishtinës ndaj dialogut, pasi çdo herë pas ose para bisedimeve, ajo ndërmerr masa njëanshme, kundërserbe ose të paligjshme”.