Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
E një rast i tillë është raportuar mbrëmë në Prishtinë ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës që po patrullonte në rrugën ‘Nazim Gafurri’ ka vërejtur një veturë të dyshuar të cilën kanë vendosur që ta ndalin.
Sinjali mëson se në veturë ndodheshin tre persona, të cilët kishin sjellje arrogante ndaj zyrtarëve policorë që u afruan t’u bëjnë kontrollin trupor.
Në momentin që zyrtari policor ka nisur të kontrollojë një 25-vjeçar, ky i fundit ka reaguar duke tentuar që ta godas me grusht policin. Kjo ka bërë që i dyshuari të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intervistim.
25-vjeçari para hetuesve policorë ka mohuar se ka pasur për qëllim që ta godas policin, duke thënë se ka reaguar për shkak se shpina e tij ishte e djegur nga dielli dhe momentin që ka filluar kontrolli trupor, ai ka pasur dhimbje.
Me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Sulm’.












