Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot ka dëshmuar Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Leonardi përshkroi para trupit gjykues momentin kur mori lajmin tronditës për vrasjen e motrës.
“Kam qenë në lokal në fshatin tim duke punuar. Më ka thirrur bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë: E paskan vra Liridonën. Si kishte shumë njerëz në lokal, nuk e dëgjova mirë a ishte fjala për motrën time Liridonën apo për djalin e axhës, po ashtu Liridon. Pastaj nuk vonoi shumë dhe erdhi thirrja e dytë, më tha: Hajde në shtëpi, se e kanë vra motrën tënde, Liridonën,” tha Ademaj.
Ai tregoi se pas marrjes së lajmit kishte vrapuar në shtëpi, kishte marrë prindërit dhe i kishte çuar në spitalin e Gjakovës për të marrë qetësues, e më pas ishin nisur drejt QKUK-së.
Në seancë është i pranishëm edhe Naim Murseli, i cili pas ekzaminimeve psikiatrike është vlerësuar në gjendje të rregullt mendore, duke qenë i aftë të ndjekë procesin gjyqësor.