Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron diskutoi furnizimet me raketa dhe financimin për dronët interceptues për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.
“Do të doja veçanërisht të theksoja marrëveshjen tonë për trajnimin e pilotëve për avionët Mirage – Franca është gati të trajnojë pilotë shtesë duke përdorur avionë shtesë”, tha Zelenskiy në X, duke shtuar se udhëheqësit gjithashtu koordinuan hapat e ardhshëm politikë, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Komunikimi i fundit midis Zelensky dhe Macron erdhi ndërsa Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë të 18-të sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke përfshirë masa që synojnë të shkaktojnë goditje të mëtejshme në industrinë ruse të naftës dhe energjisë.
Macron tha se paketa e re e sanksioneve ishte e paprecedentë.
“Është e nevojshme më shumë se kurrë më parë t’ia kujtojmë vetes se siguria, liria dhe e ardhmja e Evropës janë të lidhura ngushtë me fatin e Ukrainës”, shkroi Macron në X.
“Në këtë drejtim, unë mirëpres miratimin këtë mëngjes nga Bashkimi Evropian të një pakete të re të pashembullt sanksionesh kundër Rusisë. Sulmet ruse duhet të ndalen menjëherë”, shtoi ai.