Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka shprehur shqetësimin mbi gjendjen aktuale politike në vend dhe vakumin institucional, duke paralajmëruar vështirësi të mundshme në fillimin e vitit të ri shkollor në muajin shtator.
Në një konferencë për media pas kongresit të nëntë, Jasharaj tha se SBASHK nuk do të qëndrojë në heshtje përballë pakënaqësive dhe kërkesave në rritje të punëtorëve të arsimit, raporton KosovaPress.
“Duke e parë situatën, këtë vakum institucional, si dhe rritjen e kërkesave dhe pakënaqësive, dëshirojmë të informojmë opinionin dhe punëtorët e arsimit se ne nuk heshtim, vazhdojmë me punë dhe angazhimet, për këtë arsyeje mbajtëm kongresin e jashtëzakonshëm online, për shkak edhe të kushteve klimatike, por edhe nga fakti se një pjesë e delegatëve nuk kanë qenë në shtëpitë e tyre janë duke e shfrytëzuar pushimin.
Kongresi i nëntë ishte i suksesshëm dhe të gjithë delegatët prezentë shprehën pakënaqësitë dhe shqetësimin për ngërçin institucional, duke kërkuar fillimisht nga partia që doli e para (Lëvizja Vetëvendosje) të bëjë të mundurën të pamundur, në mënyrë që të hapë rrugë që të kemi institucione. Në këtë mënyrë shtatori do të na presë dhe mund të kemi telashe, ngase nuk kemi edhe adresa të sakta kujt do t’i drejtohemi për kërkesat tona legjitime”, tha Jasharaj.