Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte i angazhuar me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare Perëndimi – Gjakovë.
Hetuesit e IPK-së kanë filluar një hetim me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” kurse pas konsultave me Prokurorinë e Themelore në Prizren rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Sinjali raporton se zyrtari policor i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë është Ylber Kastrati.
Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë për të kontrolluar nëse qytetari në fjalë figuron në kërkim apo nën ndonjë masë tjetër, në mungesë të ndonjë kërkese zyrtare apo baze ligjore.
Hetuesit e IPK-së paralajmërojnë veprime të mëtejme hetimore për të ndriçuar plotësisht këtë çështje, që ngre shqetësime serioze për abuzim me të dhënat personale dhe shfrytëzim të resurseve shtetërore për interesa të dyshimta.