Analisti politik Avni Arifi ka komentuar ngërçin institucional që po vazhdon në Kosovë, duke e cilësuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje si pasive dhe të papërgjegjshme ndaj situatës politike.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, edhe pse partia në pushtet i ka fituar zgjedhjet, nuk ka asnjë përpjekje serioze për të zgjidhur bllokadën në Kuvend.
“Nuk ka tension, nuk ka përpjekje, madje as përfolje që nga ana e partisë fituese po tentohet realisht të tejkalohet ngërçi. Ata janë thjesht në pritje që ndonjë deputet i opozitës të ndryshojë mendim dhe të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit”, ka deklaruar Arifi.
Arifi shtoi se ndërkohë, vendi po humb miliona euro dhe mbi 40 agjenci qeveritare po funksionojnë pa mbikëqyrje parlamentare, kryeministri në detyrë Albin Kurti e vazhdon punën edhe pse Gjykata Supreme ka vendosur që nuk duhet të mbajë këtë pozitë, derisa është edhe deputet i Kuvendit.
“Kryeministri është i qetë, nesër shkon në zyrë, merr pagën dhe nuk shqetësohet për proceset që po dëmtohen në Kosovë. Ai po qeveris pa qeveri, që në thelb është mënyra se si e koncepton pushtetin – jo si një drejtues në një demokraci parlamentare, por si një sundimtar. Në parim Gjykata Supreme ia ka pamundësuar që të marrë vendime, këto mund të rezultojnë edhe me ndjekje penale”, u shpreh Arifi.
I njëjti theksoi se, ndonëse të gjithë janë të shqetësuar për situatën, “vetëm Kurti nuk është i shqetësuar dhe nuk po mërzitet për këtë punë,” sipas Arifit. /Klankosova.tv