Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marr vendim që veturat me targa të qyteteve në vend të cilat lëshohen nga autoritetet serbe, të zëvendësohen me targa RKS.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti të dielën u rikujtoi të gjithë pjesëtareve të komunitetit serb të cilët drejtojnë veturat me targa të paligjshme, që të bëjnë regjistrimin me targat Republika e Kosovës.
“Procesi i regjistrimi ka rëndësisë të madhe dhe si i tillë është në të mirë të të gjithë neve. Ju do regjistroni veturat në bazë të procedurave të lehta dhe me lëshime të lejuara, sipas rregullave dhe ligjit, kurse ne do të vendosim barazinë të cilën e synojmë të gjithë në çdo segment”, është shprehur Kurti.
Raci: Serbët janë më të sigurt me targat RKS
Ky vendim nga njohësit e çështjeve politike po vlerësohet si vendim i qëlluar për vendin tonë.
Njohësi i kësaj fushe, Gazmir Raci, në një prononcim për Front Online tha se serbët janë më të sigurt me tabelat RKS se me ato ilegale.
Sipas Racit, ata serbë që duan të jetojnë në Kosovë, rregullave duhet të ju përshtatën në mënyrë që të lëvizin lirshëm.
“Kjo marrëveshje është e arritur shumë më herët edhe serbët e kanë pranuar dhe duhet ta zbatojnë se ka të bëjë edhe me sigurinë e tyre. Nëse ata pajisen me tabelat RKS ata do të jenë më të sigurt se sa me tabelat ilegale dhe mund të jenë cak i sulmeve. Serbia vetë e ka pranuar këtë marrëveshje dy herë dhe vetëm duhet të respektuar se çfarë janë pajtuar në mes vete në Bruksel. Ata serbë që duan të jetojnë në Kosovë duhet t’ju përshtatën rregullave që janë këtu dhe nëse dëshirojnë të lëvizin lirshëm duhet me u pajisë me targat RKS ose ndryshe policia do t’i konfiskoj tabelat’, u shpreh Raci.
Demhasaj: Serbët gjithmonë kanë pasur refuzime në zbatimin e vendimeve, vendimi nuk duhet të kthehet mbrapa
I të njëjtin mendim për vendimin e targave RKS është analisti politik, Arton Demhasaj.
Demhasaj tha për Front Online se ky vendim i Qeverisë nuk duhet të ketë kthim mbrapa.
Sipas tij, serbët gjithmonë kanë pasur refuzime dhe pakënaqësi në zbatimin e vendimeve të marra.
“Patjetër që ky vendim është shumë i duhur për vendin tonë dhe tash duhet serbët të pajisen me këto targa në veri të Kosovës. Çdo vendim që është marr ka pasur pakënaqësi ose refuzim të zbatimit nga ana e serbëve por unë mendoj që ky vendim nuk duhet me pas kthim mbrapa dhe nuk duhet me toleruar më që me pas dallim të qytetarëve që jetojnë në veri me ata që jetojnë në jug”, potencoi Demhasaj.
Heqja e këtyre tabelave ishte paraparë në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës.
Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10,000 vetura me targa KM, të cilat janë lëshuar nga Zyra serbe e Policisë për Mitrovicën, me seli në Rashkë./FrontOnline












