Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, pas reagimit të VV-së mbi aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese ka thënë se tendencat e kësaj partie për ta përmbysur rendin kushtetues nuk po ndalen.
Çitaku tha se reagimi i sotëm i VV-së e dëshmon qartë këtë, ku sipas saj, filluan me sulme denigruese e personale ndaj gjyqtarëve një nga një dhe e vazhduan me komunikatë zyrtare.
“Kjo qasje është rrezik për demokracinë dhe për gjithçka që është ndërtuar në këtë vend me shumë sakrificë e mund”.
“Qëllimi i tyre tashmë është i qartë: delegjitimimi i çdo institucioni dhe i vetë demokracisë. Por kjo mendësi nuk do të kalojë. Nuk do ta lejojmë”, tha Çitaku.
Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar vendimin e publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese për të cilin ka thënë se “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues”.
Lidhur me këtë, VV-ja përmes një reagimi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook e ka sulmuar këtë gjykatë duke thënë më tej se ka zgjedhur të shpikë arbitrarisht rregulla.