Kryetari aktual i Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe kandidat i PDK për të parin e kësaj komune edhe për një mandat, ka prezantuar listën e kandidatëve për Asamble Komunale, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Ai ka thënë se kjo listë ka në përbërje ekspertë të spikatur në fushat e tyre, qytetarë të angazhuar e të përkushtuar.
Postimi i plotë:
Për katër vite punuam pa u ndalur për të qenë pranë secilit qytetar, pranë çdo nevoje dhe çdo kërkese. Të jem kryetari i të gjithëve është misioni im jetësor, dhe çdo vendim, çdo hap dhe çdo punë të madhe që e bëjmë është për ju dhe për Vushtrrinë tonë.
Sot, me kënaqësi të madhe, kam nderin të prezantoj para jush listën e fitores – një ekip me ekspertë të spikatur në fushat e tyre, qytetarë të angazhuar dhe të përkushtuar, që e duan këtë vend dhe kanë punuar pa u lodhur ndër vite për të.
Së bashku, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Vushtrri ku secili ndihet i përfaqësuar, ku zëri i secilit ka vlerë, dhe ku bashkëpunimi është fuqia jonë më e madhe. Më e rëndësishmja, një Vushtrri të zhvilluar, me plane e punë konkrete.
Na priftë e mbara!