Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është bërë publik mocioni i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili kërkonte rrëzimin e akuzave në aktakuzë sipas Rregullës 130.
Specifikisht, nëpërmjet këtij mocioni, mbrojtja kishte kërkuar nga trupi gjykues që t’i marrë në shqyrtim argumentimet e mbrojtjes që të shkurtojë periudhën për konfliktin e armatosur në Kosovë (të përfshirë në aktakuzë) dhe si rrjedhojë të hudh poshtë akuzat ose pjesët e akuzave për krime lufte që janë jashtë kësaj periudhe kohore, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas mbrojtjes, në atëkohë Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ) kishte rënë dakord për ndërprerjen e armiqësive më 9 qershor 1999 dhe u largua nga Kosova deri më 20 qershor të po atij viti, proces ky i cili është mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Sipas mbrojtjes, veprimet luftarake në mes RFJ-së dhe UÇK-së nuk rifilluan më asnjëherë dhe nuk ka asnjë provë të ndonjë akti dhune pas 20 qershorit 1999 të kryer nga ose kundër forcave serbe.
Se konflikti ka përfunduar më 20 qershor 1999, sipas mbrojtjes, e ka përcaktuar edhe UNMIK-u në Rregulloret 2000/66 dhe 2006/50, të cilat mbeten në fuqi në Kosovë përveç nëse shfuqizohen.
Veç kësaj, mbrojtja argumenton se edhe 20 qershori 1999 është konfirmuar si datë e përfundimit të luftës, nga Parlamenti i Kosovës. Po ashtu, ata kanë argumentuar se edhe gjykatat në Kosovë bazohen në këtë periudhë kohore gjatë ndjekjeve penale për krime lufte.
Ndërsa, e quajtën “ndryshim të historisë” pretendimin e Prokurorisë që konflikti ka vazhduar deri në mesin e shtatorit të 1999-ës.
Madje, mbrojtja thotë se as provat e dëshmuara deri më tani në këtë çështje nuk e mbështesin aspak konstatimin se konflikti ka zgjatur deri në shtator.
Mbrojtja thotë se pas më shumë se 739 orëve të dëshmive të dëshmitarëve dhe paraqitjes së mbi 8 mijë provave, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se një konflikt i armatosur ka ekzistuar në Kosovë para fundit të majit 1998 ose pas 20 qershorit 1999.
Ata veç kësaj thonë se Rregulla 130 nuk kufizohet vetëm në kundërshtimin e akuzave, por edhe pjesëve të tyre.
Si rrjedhojë, mbrojtja ka listuar disa ngjarje që sipas tyre nuk përbënin ngjarje të një konflikti të armatosur, por që i shërbyen fillimit të tij.
Çfarë thotë mocioni i mbrojtjes për sulmin në familjen Jashari?
Në mocionin e saj, mbrojtja e katërshes së UÇK-së thotë se më 5 deri më 7 mars 1998 një operacion i kryer nga forcat serbe shënjestroi fshatin Prekaz.
Në mëngjesin e 5 marsit, forcat të cilat ishin pozicionuar në Fabrikën e Municionit dhe kompleksit, qëlluan mbi shtëpitë e familjes Lushtaku.
Sipas dëshmive, mbrojtja thotë se nga dëshmitarët u përshkruan të shtëna me armë zjarri, gjuajtjet nëpër rrugë, kishte këmbësori me uniforma kamuflazhi, u përdoren mortaja, mitraloza, granata dore dhe tanke.
Madje, sipas mbrojtjes, një dëshmitar okular kishte parë rreth 60 automjete që e rrethonin shtëpinë e tij, si dhe banorët kishin thënë se nuk ishin informuar nga forcat policore për operacionin në Prekaz.
Ndërsa, anëtarët e familjes Lushtaku sipas mbrojtjes kishin ikur, fokusi i operacionit serb u zhvendos tek kompleksi që i përkiste Shaban Jasharit dhe familjes së tij.
Mbrojtja thekson se sipas provave nga autoritetet serbe, shënjestër e operacionit ishte kompleksi i Jasharëve, me arsyetimin se aty ishin barrikaduar siç i quanin ata ‘terroristët’. Në mocionin e saj, mbrojtja tha se në mesin e 59 viktimave nga ky operacion kishte gra dhe dhjetë fëmijë.
“Disa burime sugjerojnë se e gjithë familja Jashari që ndodhej në shtëpi u vra gjatë sulmit, me përjashtim të një vajze njëmbëdhjetëvjeçare”, thuhet në mocion.
Sipas mbrojtjes, provat sugjerojnë se operacioni i kryer nga forcat serbe ishte i qëllimshëm dhe i planifikuar për të eliminuar ‘të dyshuarit’ dhe familjen e tyre duke përdorur arsenal të gjërë armësh dhe bombardime me artileri.
Ndonëse familja Jashari ishte e barrikaduar brenda kompleksit e cila u kundërpërgjigj me armë, sipas mbrojtjes, këtë fakt autoritete serbe e kishin quajtur përplasje me ‘bandën terroriste të Adem Jasharit”.
Mirëpo, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë tregues se pas sulmit në Prekaz ka ndodhur ndonjë sulm me përmasa të ngjashme.
Operacioni në kompleksin e Haradinajve
Në mocionin e saj, mbrojtja e përmend edhe operacionin e 24 marsit 1998 në Gllogjan dhe Dubravë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas mbrojtjes, provat tregojnë se përleshjet shpërthyen pasi policia serbe kreu kontroll ndaj dy burrave, por mbetet e paqartë nëse dhuna u shkaktua nga tentimi për t’u arratisur dhe të shtënat ndaj Policisë, apo vetë policia i gjuajti ma armë këta burra.
Mbrojtja potencon se sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, pretendohet se patrulla ishte sulmuar nga terroristë të armatosur, duke rezultuar në vdekjen e një patrulluesi dhe plagosjen e tre të tjerëve.
“Policia serbe hapi zjarr ndaj shtëpisë së Haradinajve, duke nxitur zjarr kthyes nga brenda. Pasi banorët u larguan nga shtëpia e Haradinajve, forcat policore serbe hynë dhe gjetën, sipas pretendimeve, granatahedhës, hedhësa dore, pistoleta dhe sasi të mëdha municionesh. Provat tregojnë se në pasditen e 24 marsit, rreth pesëmbëdhjetë policë kontrolluan shtëpinë e Fazë dhe Rexhep Haradinajt, e cila më pas u shënjestrua me zjarr artilerie”, thuhet në mocion.
Sipas dëshmitarëve, mbrojtja thotë se ata kishin parë tre helikopterë që shkonin drejt Gllogjanit duke qëlluar nga lart, ndërsa Policia po e rrethonte fshatin.
“Në total, tre persona u vranë, 20 të tjerë u plagosën dhe 14 individë u arrestuan nga forcat serbe. Viktimat përfshinin Gazmend Mehmetajn, Agron Mehmetajn dhe Him Haradinajn, të cilët vdiqën si rezultat i zjarrit nga helikopterët”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, fakte të gjykuara janë edhe nga rigjykimi i Ramush Haradinajt në lidhje me sulmin mbi kompleksin e tyre, në të cilin Haradinaj ishte plagosur dhe ishte dërguar në shtëpinë e Lahi Brahimajt në Jabllanicë.
Në këtë rigjykim, mbrojtja thotë se u bë e ditur se nga sulmet ndaj familjes Ahmeti, Jashari dhe familjes Haradinaj u motivuan shumë njerëz që t’i bashkohen UÇK-së. Thotë se për këto fakte të gjykuara është në dijeni edhe ky trup gjykues në këtë rast.
Gjithnjë sipas mbrojtjes, edhe ndonjë përplasje tjetër në mes UÇK-së dhe forcave serbe pas sulmit në Prekaz, u karakterizua me numër më minimal të viktimave dhe ishin më të kufizuara në kohën e përleshjeve të armatosura dhe armëve të përdorura.
Sipas mbrojtjes, nuk ka asnjë provë për të treguar se deri më 24 mars 1998 ka ekzistuar ndonjë konflikt i armatosur në territorin e Kosovës.
Mbrojtja: S’ka tregues që deri më 26 prill 1998 ka ekzistuar ndonjë konflikt i armatosur në Kosovë
Mbrojtja në mocion e ka përmendur edhe një pritë të UÇK-së më 26 prill 1998 ndaj një autokolone ushtarake serbe në rrugën kryesore Prishtinë-Pejë.
Ky sulm ishte përshkruar si i pari që e filloi UÇK-ja dhe ndodhi ndërmjet fshatrave Gjergjicë dhe Balincë. Sipas mbrojtjes, ka pak informacione se si u krye operacioni dhe për armatimin. Megjithatë, u tha se ndryshe nga UÇK-ja, forcat serbe patën humbje njerëzore dhe materiale. Por, thuhet se një raport i forcave serbe thotë se nuk pati viktima.
Si rrjedhojë, sipas mbrojtjes, trupi gjykues ka pak ose aspak prova mbi ‘sulmin’ e parë të kryer nga UÇK-ja dhe se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk përmbajnë asnjë tregues për llojin e armëve të përdorura.
Pra, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë para trupit gjykues për të treguar se deri më 26 prill 1998 ka ekzistuar ndonjë konflikt i armatosur në territorin e Kosovës.
Sulmi serb në Gjergjicë, mbrojtja thotë se as deri më 9 maj 1998 s’ka tregues që ka ekzistuar konflikt në Kosovë
Në mocionin e saj, mbrojtja thotë se sipas provave, më 8 maj 1998, forcat serbe kishin nisur një sulm kundër Gjergjicës, në të cilën u përdor artileri e rëndë e armatimit, gjë që nxiti edhe kundërpërgjigjen e UÇK-së.
Aty thuhet se luftime filluan disa orë derisa forcat serbe fillaun të tërhiqeshin. Ndërkohë, që tërhiqeshin, sipas mbrojtjes, forcat serbe hapën zjarr edhe ndaj shtëpive të fshatit Negroc, duke bërë që përplasja e armatosur të bëhet edhe në Llapushnik në ditën pasuese.
Mbrojtja thotë se në Llapushnik, gjatë ofensivës shtëpitë përgjatë rrugës kryesore u dëmtuan nga plumbat dhe u dogjën. Por, kjo përplasje, sipas mbrojtjes çoi në shembjen e vijës së frontit të forcave serbe dhe tërheqjen e tyre. Përkundër kësaj disfate, mbrojtja thotë se forcat serbe vazhduan që të shtinin herë pas here gjatë natës.
“Sa i përket viktimave, provat sugjerojnë se forcat serbe patën humbje gjatë tërheqjes, përfshirë oficerë policie të vrarë dhe të plagosur, municion të sekuestruar, si dhe shkatërrimin e një automjeti Pinzgauer. Nga ana e UÇK-së, raportet tregojnë për një viktimë dhe dy ose tre ushtarë të plagosur”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Sa i përket krahasimeve në armatim, mbrojtja thotë se forcat serbe kishin artileri të rëndë dhe një gamë të ardhur automjetesh dhe tankesh, kurse UÇK-ja rezistoi me armë të lehta.
Sipas mocionit, Prokuroria s’ka arritur që të përcaktojë numrin e viktimave nga secila palë dhe nuk ka informacione për të saktësuar pretendimet se forcat serbe patën humbje të mëdha. Veç kësaj, mbrojtja thotë se ka informacione për pabarazinë resurseve ushtarake midis palëve.
Veç kësaj, mbrojtja thotë se as deri më 9 maj 1998 nuk ka prova që tregojnë se ka pasur një konflikt të armatosur në territorin e Kosovës.
Përplasjet brenda dhe rreth Ratkocit, mbrojtja: S’ka tregues që ka pasur konflikt të armatosur deri më 12 maj 1998
Mbrojtja e përmend edhe një ngjarje tjetër të 12 majit 1998 në periferi të Ratkocit, konkretisht në rrugën drejt fshatrave Bërnjak dhe Bratonin, por shumë elemente nga kjo parashtresë e mbrojtjes janë të redaktuara.
Megjithatë, mbrojtja thotë se edhe në këtë ngjarje kishte pabarazi të mjeteve dhe numrin e personelit të disponueshmë për të dy palët. Si rrjedhojë, thuhet se nuk ka prova që tregojnë për një konflikt të armatosur deri më 12 maj 1998.
“Treguesit që kanë të bëjnë me numrin e kufizuar të viktimave; përmasat e kufizuara, nëse ka, të përplasjeve të drejtpërdrejta midis forcave serbe dhe UÇK-së; si dhe natyrën e lokalizuar dhe sporadike të përplasjeve, edhe nëse merren në shkallën më të lartë, nuk dëshmojnë se intensiteti i armiqësive ka kaluar pragun e zbatueshëm për një konflikt të armatosur deri më 12 maj 1998”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Megjithatë, duke folur për ngjarje shtesë, mbrojtja thotë se ka pasur incidente gjatë pranverës së 1998-ës dhe që janë të rëndësishme për intensifikimin gradual të armiqësive deri në verën e 1998-ës. Por, thuhet se ka mungesë specifike të provave për këto ngjarje.
“Për këto arsye, provat mbi këto incidente, edhe të kombinuara me ngjarjet e përshkruara më lartë, nuk dëshmojnë se armiqësitë kanë kaluar pragun përkatës të dhunës së armatosur të zgjatur”, thuhet më tej në parashtrimin e mbrojtjes.
Një prej rasteve përmendet më 22 prill 1998 kur UÇK-ja kishte kryer sulm ndaj një batalioni të Policisë Ushtarake serbe, e që kjo e fundit i ishte kundërpërgjigjur. Madje, mbrojtja thotë se në prova serbe përmendet edhe një operacion i Policisë Ushtarake ndaj siç i quajnë ata ‘terroristë’ në Koshare. Përplasja u tha se filloi pasi disa shqiptarë kishin tentuar ta kalonin kufirin në Kosovë dhe nuk pati viktima nga autoritetet serbe.
Mbrojtja kishte përmendur edhe një rast më 24 prill 1998, ku sipas provave serbe, UÇK-ja kishte hapur zjarr ndaj forcave serbe në Gjakovë. Sipas këtyre provave, UÇK-ja kishte hedhur predha ndaj një helikopteri rus që transportonte materiale për njësitë serbe. Ndërsa, një predhë kishte rënë pranë fabrikës së furnizimit me ujë.
Gjithashtu, mbrojtja duke iu referuar provave serbe, tregon se UÇK-ja nisi një sulm këmbësorie në drejtim të fshatit Zhdrellë një ditë pas, kundër një batalioni të Policisë Ushtarake serbe, por që nuk ka pasur viktima.
Më pas, duke iu referuar provave të njëjta, mbrojtja përmend një operacion të zhvilluar më 5 maj 1998 në fshatin Ponoshec, në të cilin nuk ka pasur viktima. Ndërsa, një rast tjetër thuhet se ka ndodhur më 14 maj 1998 gjatë rrugës Pejë-Gjakovë, e që ishte pa pasoja.
“Për më tepër, provat mbi këto incidente shpesh heshtin mbi llojin e saktë të armatimit të përdorur, numrin dhe llojin e personelit ushtarak të përfshirë, si dhe shkallën e shkatërrimit të shkaktuar. Ndërsa, trupi gjykues mori dijeni gjyqësore mbi faktet e gjykuara që lidhen me këto incidente, asnjë prej atyre fakteve nuk ofron hollësitë e nevojshme për të dëshmuar se intensiteti i luftimeve kishte arritur pragun e domosdoshëm për një konflikt të armatosur”, thuhet më tutje.
Mbrojtja thotë se ekzistenca e një konflikti të armatosur kërkon të paktën një numër të konsiderueshëm të faktorëve tregues, duke përfshirë seriozitetin e sulmeve, rritjen dhe përhapjen e përplasjeve në territor, si dhe përdorimin e armëve të rënda.
Si argument, mbrojtja parashtron se sipas provave, armiqësitë në mes dy palëve hynë në një fazë të re deri në fund të 1998-ës me përplasje të drejtpërdrejta dhe të zgjatura midisi forcave serbe dhe UÇK-së.
Mbrojtja thotë se përveç luftimeve, gjatë kësaj periudhe u rrit edhe numri i viktimave dhe civilëve të zhvendosur e po ashtu edhe personelit të dislokuar nga të dy palët.
Si rrjedhojë, mbrojtja përmend një sulm në Grykën e Llapushnikut më 29 maj 1998, të nisur nga forcat serbe pasi UÇK-ja kishte marrë kontrollin e asaj zone më 9 maj 1998.
Mbrojtja potencon që sipas dëshmive, ky operacion kishte nisur me automjete të blinduar dhe tanke si dhe pesë granata-hedhës.
Si rezultat i këtij operacioni, u tha se forcat serbe dogjën edhe shumë shtëpi në fshatrat përreth, e që UÇK-ja u kundërpërgjigj me snajper, duke bërë që forcat serbe të kthehen në bazën e tyre në Komoran.
Nga kyperacion kishte të vrarë e të plagosur, përfshirë policë, ushtarë të UÇK-së dhe një civil.
Sipas mbrojtjes, në këtë ngjarje, forcat serbe kishin dislokuar arsenal të konsiderueshëm të armeve ndërsa provat tregojnë se UÇK-ja vepronte nën kufizime të mëdha.
Rast tjetër, në mocionin e mbrojtjes përmendet edhe ai i 31 majit 1998, kur forcat serbe nisën sulm në fshatin Poklek i Ri pranë Drenasit.
Në këtë operacion, forcat serbe kishin mbledhur burrat dhe gratë e fshatit, e që një dëshmitar kishte thënën se kishte parë një polic teksa qëllonte pesë civilë nga pas.
Gjatë këtij sulmi, sipas mbrojtjes forcat serbe dërguan 300 policë me artileri dhe mjete të blinduara dhe sipas dëshmive u dogjën 28 shtëpi e shumë të tjera u plaçkitën.
Po ashtu, mbrojtja thotë se në qershor të 1998-ës, sipas dëshmive, UÇK-ja kaloi në minierën e thëngjillit në Bardh të Madh dhe rrëmbeu disa minatorë serbë duke ndaluar prodhimin. Pas marrjes së minierës nga UÇK-ja, u tha që forcat serbe nisën sulme dhe dislokuan njësitë speciale të policisë të mbështetur nga artileri e rëndë e armatimit që ishte në disfavor me ato që posedonte UÇK-ja.
Sipas raporteve serbe, mbrojtja thotë se një djalë 8-vjeçar shqiptar u vra dhe një burrë u plagos. Por, sipas mbrojtjes, mbi 8 mijë persona u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në pyje.
Në mocionin e saj, mbrojtja thotë se Bislim Zyrapi pretendoi se UÇK-ja pësoi shumë humbje pas sulmeve.
Sipas mbrojtjes, trupi gjykues vuri re se pas fundit të majit 1998, intensiteti i përplasjes në Kosovë u rrit ndjeshëm. Aty thuhet se, në këtë periudhë, UÇK-ja kontrollonte deri në 50% të territorit, ndërpreu furnizimin për forcat serbe përmes kontrollit të rrugëve kryesore dhe zhvilloi sulme të shpeshta ndaj stacioneve policore në Suharekë dhe Runik.
Në mocion thuhet se përplasjet në Drenicë çuan në shpërnguljen e rreth 40 mijë personave, ndërsa forcat serbe kryen operacione për të rikthyer linjat e komunikimit në Deçan dhe Gjakovë.
Mbrojtja po ashtu thotë se pjesëmarrja e UÇK-së përpara fundit të majit 1998 ishte kryesisht e kufizuar në sulme rastësore. Si rrjedhojë, mbrojtja pretendon se vera e 1998-ës shënoi një fazë të re të konfliktit, me përplasje të drejtpërdrejta dhe të shpeshta, përfshirë marrjen e Rahovecit më 20 korrik, si dhe luftime dhe shpërthime ditore që intensifikuan dhunën e armatosur.
Duke iu referuar gjykatave në Kosovë, mbrojtja thotë se bazuar në këta tregues, fundi i majit 1998 shërben si pika fillestare e konfliktit të armatosur.
Mbrojtja: S’ka dëshmi që mund ta mbështesin një dënim për krime lufte për çdo akt që pretendohet se është kryer pas 20 qershorit
Sipas mbrojtjes, shumica e dëshmive në dosjen paragjyqësore të Prokurorisë ku thuhej se konflikti ka zgjatur deri në shtator 1999, nuk u prezantuan ose nuk u pranuan gjatë procesit.
“Në fakt, nuk ka dëshmi që mund të mbështesin një përfundim padyshim se të akuzuarit mund të jenë përgjegjës për krime lufte për çdo krim të supozuar që ka filluar pas 20 qershorit 1999”, tha mbrojtja.
Po ashtu, mbrojtja thotë se është e qartë si çështje ligjore dhe faktike se konflikti në Kosovë kishte përfunduar më 20 qershor 1999 ngjashëm sikur për Këshillin e Sigurimit të OKB-së i cili miratoi Rezolutën 1244 më 10 qershor 1999, duke mandatuar dislokimin e një pranie ndërkombëtare civile dhe sigurie në Kosovë për të parandaluar rifillimin e përplasjeve.
Kjo datë, sipas mbrojtjes ishte e qartë edhe për UNMIK-un, gjyqtarët e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Jugosllavinë, gjyqtarët e Gjykatës Supreme në Kosovë, Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Parlamentin e Kosovës, e të tjera.
“Dëshmia e 253 dëshmitarëve të ZPS-së dhe shqyrtimi i mbi 8,000 dokumenteve vetëm sa e kanë forcuar pamundësinë faktike që ndonjë dhunë e kryer në Kosovë pas 20 qershor 1999 të përmbushte kriteret e “intensitetit” ose “organizimit”, tha mbrojtja.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se nuk ka prova që mund të mbështesin gjetjet se të akuzuarit mund të jenë përgjegjës për krime lufte për ndonjë akt të pretenduar që është kryer pas 20 qershorit 1999.
Ndonëse gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi në linjë me Prokurorinë se një konflikt i armatosur jondërkombëtar vazhdoi deri më 16 qershor 1999, sipas mbrojtjes, mbështetën në një gamë shumë të vogël provavash të cilat nuk janë pranuar.
Sipas mbrojtjes, edhe dëshmitarë që kanë qenë pjesë e UÇK-së e kanë konfirmuar se deri më 20 qershor 1999, forcat serbe ishin tërhequr nga Kosova.
“Këto prova të UÇK-së u konfirmuan nga ata në forcat serbe, përfshirë ata që u tërhoqën dhe të tjerët që u demobilizuan. [REDAKTUAR] punonte për [REDAKTUAR], dhe ishte pjesë e forcave serbe që u tërhoqën më 12 qershor 1999. [REDAKTUAR], në rezervat e Ushtrisë Jugosllave në [REDAKTUAR] deri më 12 qershor 1999, datë në të cilën njësia u shpërbë pas Marrëveshjes së Kumanovës. Ai konfirmoi se, më 12 qershor 1999, Ushtria Jugosllave la fshatin e tij të lindjes, dhe më 13 qershor 1999, mbërriti KFOR”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Pas 20 qershorit 1999, mbrojtja thotë se u vendos forca ndërkombëtare dhe se UNMIK-u nuk u krijua për t’u vendosur në një konflikt të armatosur që është duke vazhduar. Sipas mbrojtjes, mandati i tij ishte për të parandaluar çdo rifillim të konfliktit.
“UNMIK ka qenë, dhe gjithmonë është konsideruar, një mision pas-konflikti. Raportet dhe dokumentet e OKB-së njohin vazhdimisht konfliktin e armatosur si të përfunduar më “20 qershor 1999”, dhe i referohen UNMIK-ut në terma pas-konflikti, si i krijuar për të “ndihmuar popullin e Kosovës të rindërtojë jetën e tyre dhe të shërojë plagët e konfliktit”, dhe për të trajtuar “një gamë të gjerë nevojash urgjente pas konfliktit në Kosovë”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, pretendimi i Prokurorisë që konflikti vazhdoi deri në shtator, dobësohet nga fakti se njëra palë kishte lënë territorin, ndërsa tjetra ishte në proces të demilitarizimit si proces i marrëveshjes së nënshkruar nga Hashim Thaçi më 21 qershor 1999.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.