Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, tha se LDK “nuk shpërblen mediokritetin”, në dritën e votimit të Dimal Bashës kryetar të Kuvendit nga 73 deputetë.
Ai kujtoi se kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës ishte akademik Idriz Ajeti, një figurë e dijes dhe kulturës kombëtare, ndërsa sipas tij, sot – më shumë se tri dekada pas – vota e dhënë nga 73 deputetë tregon për “rrënimin vleror që po i ndodhë shoqërisë kosovare nga populizmi i ditës”.
Kreu i LDK-së u shpreh se ky vendim i shumicës parlamentare përfaqëson një devijim të rrezikshëm, duke e konsideruar situatën si një “cirk politik” të cilit LDK-ja nuk dëshiron t’i bëhet pjesë.
Ai paralajmëroi se me këtë mënyrë të funksionimit, Kuvendi po rrezikon të hapë edhe rrugë për precedentë bllokues në të ardhmen, përfshirë edhe nga Serbia.
Postimi i plotë:
Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik; shembull për qytetarinë e Republikës më të re në Evropë.
Akademik Idriz Ajeti ka qënë kryetar i parë i Kuvendit të Republikës. Sot, tri dekada e gjysmë më pas, 73 deputetët e Kuvendit shpërfaqën më së miri ndoshta dhe gjithë rrënimin vleror që po i ndodhë kësaj shoqërie nga popullizmi.
Uroj që votuesit e partisë të parë, të kenë kuptuar se ku ka përfunduar vullneti i tyre. Ne refuzojmë të përfaqësojmë këtë mendësi.
Siç dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë. Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht; përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë! Prandaj dhe s’mund e s’duam të jemi pjesë e një skenari të tillë.
Sot, më shumë se kurrë, shtroj dorën e afrimit me secilin qytetar në vend, që nuk ndihet i përfaqësuar me këtë politikë. Që LDK-në e vlerave, në përmbajtje e konstitucionalizëm, ta sheh si adresë të përfaqësimit me dinjitet.
Le të bashkohemi rreth ëndrrave normale në një Republikë normale!