Vajzat dhe gratë përveç që janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, shumë herë edhe kërcënohen, shantazhohen e detyrohen të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Një rast i tillë që dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një grua ka denoncuar ish-partnerin e saj për ngacmim dhe shantazh, pas kërcënimeve të vazhdueshme që ai i kishte bërë.
Sinjali mëson se viktima J.U., rreth 37-vjeçare ka deklaruar në polici se kishte qenë në lidhje dashurie për rreth një vit me B.A., rreth 53-vjeçar, i cili jeton në Zvicër. Sipas saj, ai e kishte kërcënuar se do të publikonte disa foto intime që ia kishte dërguar më herët, me qëllim për ta degraduar publikisht.
Pasi kishte vendosur të ndahej, i dyshuari nuk po e linte të qetë duke e ngacmuar dhe shantazhuar vazhdimisht. Më 26 gusht, ai është paraqitur te banesa e saj në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë dhe ka trokitur në derën e saj, duke e shqetësuar përsëri.
Policia ka ndërhyrë rreth orës 23:20 dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku edhe është intervistuar. Me urdhër të Prokurores së Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Ngacmim” dhe po hetohet nga organet kompetente.