Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po tenton të bllokojë funksionimin e institucioneve shtetërore.
“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se VV-ja me vetëdije kërkoi nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Sipas tij, pasojat e këtij veprimi janë të rënda për vendin.
“Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.
Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës.
LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”, shkroi Gashi në Facebook.