Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka dalë me një deklaratë pas reagimeve të disa gazetarëve që thanë se u përjashtuan arbitrarisht nga moderimi.
RTK tha se “dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me reagimet e disa redaktorëve për mosangazhimin e tyre si moderatorë në disa emisione” duke u arsyetuar se ato u bënë me qëllim të “avancimit programor” dhe “rritjes së cilësisë”.
“RTK po kalon një fazë avancimi programor dhe organizativ, me qëllim rritjen e cilësisë së përmbajtjes në të gjitha kanalet dhe platformat, me fokus të veçantë në forcimin e kanalit informativ RTK3. Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor. Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”.
RTK pretendoi se “pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë”.
“Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë”.
Menaxhmenti i këtij mediumi aludoi se situata financiare në të cilën gjendet po shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për prononcime në rrjete sociale, duke paralajmëruar se nuk do t’i tolerojnë.
“Ndonëse RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme, kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës. Në asnjë rast kjo situatë nuk mund të shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për të bërë prononcime në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese, apo të papajtueshme me etikën dhe standardet profesionale. Po ashtu, çdo deklarim i pabazuar në fakte, që përhap dezinformata duke dëmtuar integritetin e institucionit, nuk do të tolerohet tutje dhe të gjitha këto veprime do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret e RTK-së në fuqi”.
“Si transmetues publik, RTK është e përkushtuar ndaj transparencës, respektimit të ligjit dhe kontratave, pavarësisë editoriale dhe objektivitetit, me theks ofrimin e përmbajtjes cilësore për qytetarët e Kosovës. Në këtë kuadër, RTK thekson se respekton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar pa ndërhyrje, ndërsa çdo shqetësim i ngritur nga redaktorët, apo publiku do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Menaxhmenti i RTK-së mbetet i vendosur dhe i palëkundur në avancimin e ofertës programore, duke e zhvilluar atë mbi bazën e parimeve universale të transmetuesve publik: paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit dhe depolitizimit të plotë. Çdo vendim dhe hap i ndërmarrë do të ketë për qëllim forcimin e rolit të RTK-së si institucion i pavarur, i besueshëm dhe i depolitizuar, në shërbim të qytetarëve të Kosovës”. Ky angazhim është një obligim profesional dhe moral ndaj publikut, një standard i panegociueshëm për secilin punonjës të RTK-së, dhe një garanci për demokracinë dhe shoqërinë tonë.