Sot gjatë ditës është paralajmëruar një vizitë në Prekaz nga një grup studentësh serbë, në kuadër të organizimit të Universitetit Veror të Prishtinës, por me të kuptuar lajmin tifozët e Drenicës dolën në pritje për ta anuluar këtë vizitë.
Pas kësaj ka reaguar për Veriu.info edhe Labinot Hajdari – themelues i organizatës joqeveritare “Organizata Qendra Kosovare për Diplomaci” dhe organizator i vizitës në Prekaz i cili ka thënë se asnjë nga studentët nuk ishte nga vendet e rajonit por nga vendet ndërkombëtare.
“Rrugës për në Prekaz, me 60 studentët ndërkombetar, asnjë nga rajoni, fatkëqesishtë hyrja na u pamundesua nga protestuesit që kishin dalë për të parandaluar hyrjen e një grupi tjetër që ishte e paraparë të ndodhte sot”.
Tutje ai ka treguar edhe nga cilat shtete ishin studentët të cilëve i’u ndalua hyrja në Prekaz.
“Sa per sqarim, pjesemarrësit jane nga shtetet si: ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Italia, Luksemburgu, Kenia, Belgjika, Spanja, Suedia, Danimarka, Franca, Vietnami, Turqia, Republika e Irlandës, Hong Kongu, Gjermania, Zvicrra, Skotlanda, Austria, Republika Dominikane, Ukraina, Japonia, Kolumbia, Mongolia, Polonia, Norvegjia, Kirgizstani dhe nga diaspora” ka thënë ndër të tjera Hajdari.
Ai ka thënë se duke mos dashur të provokojë situatën nuk mundën që para studentëve të tregojnë historinë e familjes Jashari në Prekaz.
“Është e dhimbshme që kësaj here, ashtu siçe bëjmë çdo vit, nuk arritëm që para studentëve ndërkombetar, të tregojmë historinë e dhimbshme të familjes Jashari, gjithsesi e mbështesim shqetësimin e protestuesve, që grupin tonë fatkeqesishtë e ngatërruan me grupin e studentëve të Universitetit Verorë të Prishtinës”, tha Hajdari.













