Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut, kjo është një çështje serioze

13/09/2025 - 09:33
në Kryesore, Lajme
A A
Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut, kjo është një çështje serioze
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kupchan, sa i rëndësishëm është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?

Charles Kupchan: Mendoj se kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik.

Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti.

Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës.

Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi.

Radio Evropa e Lirë: Ambasada amerikane tha se veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”. Sa i fortë konsiderohet ky paralajmërim në Uashington?

Charles Kupchan: Është një paralajmërim i fortë. Por, nuk mendoj se është ndryshe nga disa deklarata të bëra gjatë administratës së [presidentit Joe] Biden, kur anëtarë të ndryshëm flisnin hapur për veprimet e Qeverisë Kurti, duke i konsideruar si të panevojshme dhe provokuese.

Pas zgjedhjeve kishte shpresë se Kurti do të merrte një qëndrim më të moderuar dhe do të ulte nacionalizmin që përdorte si mjet politik para zgjedhjeve, por duket se kjo nuk ka ndodhur.

Ne shohim një vend që, për pjesën më të madhe të këtij viti, nuk ka pasur një qeveri funksionale. Ky është një problem.

Ne jetojmë në një botë me shumë probleme të mëdha – qoftë lufta në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, tensionet në rritje me Kinën – dhe gjëja e fundit që na nevojitet, është rritja e paqëndrueshmërisë në Ballkan.

Kosova e gjen veten më të izoluar

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se SHBA-ja zgjodhi të pezullojë Dialogun Strategjik dhe jo të marrë ndonjë masë tjetër?

Charles Kupchan: Gjatë Qeverisë së mëparshme të Kurtit kemi parë se si Shtetet e Bashkuara, por edhe BE-ja kanë marrë hapa për të ulur nivelin e angazhimit të tyre me Kosovën.

Kjo është edhe një përpjekje tjetër për ta shtyrë Kurtin të ecë përpara, të formojë një qeveri funksionale dhe të riangazhohet në sfidat e vështira që ka Kosova dhe rajoni.

Pra, SHBA-ja po përdor presionin për ta shtyrë Kurtin të ketë një qasje më konstruktive, si në formimin e qeverisë, ashtu edhe në dialogun me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë humb në të vërtetë Kosova pa këtë dialog?

Charles Kupchan: Kosova e gjen veten më të izoluar.

Nga ana tjetër, Donald Trump e sheh veten si paqebërës dhe negociator, madje ka shprehur dëshirën të fitojë Çmimin Nobel për Paqe. Ai disa herë ka përmendur suksesin në dialogun Kosovë-Serbi. Në mandatin e parë ka pasur edhe një marrëveshje të negociuar nga [Richard] Grenell. Prandaj, kjo çështje është në radarin e Trumpit, dhe besoj se ai do të donte të arrinte përparim në këtë drejtim.

Kosova mund të mbajë marrëdhënie të mira me Evropën dhe SHBA-në vetëm nëse shihet se po negocion me mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, për të çuar rajonin përpara.

Por, tani, kemi një situatë ku Prishtina jo vetëm që nuk po bën përpjekje konstruktive për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë], por, prej muajsh, nuk ka as qeveri funksionale.

Presion publik mbi Kurtin

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja, në të njëjtën kohë, po përgatit Dialogun Strategjik me Serbinë. A e ndryshon ekuilibrin rajonal pezullimi i procesit me Kosovën dhe avancimi i atij me Serbinë? Dhe çfarë rreziqesh sjell kjo?

Charles Kupchan: Kjo ka të bëjë kryesisht me dërgimin e një mesazhi.

Kur pyet se çfarë mjetesh ka SHBA-ja për të shprehur pakënaqësinë dhe për të ushtruar presion mbi Kurtin, një nga përgjigjet është pezullimi i Dialogut Strategjik.

Kjo është një përpjekje publike për të shtuar presionin mbi Kurtin, veçanërisht kur e krahason me Dialogun Strategjik me Serbinë. Angazhimi me Serbinë krijon presion publik që ai të formojë një qeveri dhe të rikthehet në dialogun me Beogradin.

Radio Evropa e Lirë: Kjo ndodh vetëm disa ditë pasi Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vonimin e procesit për formimin e qeverisë dhe e quajti atë një “hije politike të opozitës”. Sa i rëndësishëm është ky institucion për Uashingtonin, sipas mendimit tuaj?

Charles Kupchan: Është pak e vështirë për SHBA-në të kritikojë deklarata të tilla nga Kurti, ndërkohë që këtu në SHBA përballemi me tensione mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit, si dhe mes ekzekutivit dhe Kongresit.

Por, kemi parë në shumë vende – qoftë Hungari, Poloni apo Turqi – situata ku liderët e zgjedhur përpiqen t’i intimidojnë gjykatat, duke i akuzuar se janë kapur nga opozita. Ky lloj diskursi, ky lloj kërcënimi nga politikanët ndaj gjykatave, mendoj se ngre shqetësime për sundimin e ligjit.

Kjo ngriti shqetësime në lidhje me përpjekjet e mundshme të Kurtit për të tejkaluar kufizimet kushtetuese mbi pushtetin ekzekutiv. Mendoj se kjo është arsyeja përse ky lloj diskursi shkaktoi një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja nuk ndërmerr veprime kundërproduktive

Radio Evropa e Lirë: Ambasada e SHBA-së tha se bisedimet mund të rifillojnë kur të jetë e përshtatshme. Çfarë mjetesh prisni që Uashingtoni të përdorë, nëse situata në terren nuk ndryshon?

Charles Kupchan: Mendoj se mjeti kryesor është izolimi. Mjeti kryesor është të mbash qeverinë – që në fakt nuk ekziston – por autoritetet e Kosovës në distancë të kontrolluar.

Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara duan të ndërmarrin veprime që do të ishin kundërproduktive. Me fjalë të tjera, nuk do të thonë se po tërhiqemi nga rajoni, ose po i japim fund misionit të NATO-s këtu, sepse një gjë e tillë do të mund të çonte në pasoja edhe më të këqija.

Por, mendoj se mesazhi është i qartë: formoni një qeveri funksionale, veproni sipas sundimit të ligjit dhe procedurave përkatëse, dhe atëherë jemi të gatshëm të rikthejmë një marrëdhënie produktive me ju.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Uashingtoni dëshiron t’u dërgojë mesazh edhe udhëheqësve të tjerë në rajon, duke ndërmarrë këtë hap?

Charles Kupchan: Mendoj se ka një shqetësim në rajon se Shtetet e Bashkuara nuk janë mjaftueshëm të angazhuara. Ato kanë shumë çështje të tjera urgjente, të tilla si lufta në Ukrainë, lufta në Lindjen e Mesme, përballja me Kinën, me një situatë të tensionuar të brendshme…

Por, është një shenjë pozitive që ka veprime në këtë drejtim, sepse tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë, dhe për të ushtruar presion mbi një partner si Kosova…

Kosova është partnere e Shteteve të Bashkuara. Historikisht, që nga pavarësia, Kosova ka pasur marrëdhënie shumë të forta me SHBA-në.

Mendoj se do të ishte e papërgjegjshme dhe vetëshkatërruese nëse Qeveria në Kosovë vazhdon të ndërmarrë hapa që dëmtojnë marrëdhënien me një vend që ka qenë një mbështetës kaq i fortë.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se do të reagojë Kurti tani?

Charles Kupchan: Është e vështirë të thuhet. Kurti ka qenë një lojtar i vështirë për Shtetet e Bashkuara që kur ka marrë detyrën.

Në njëfarë mënyre, ai e pëlqen këtë lloj përballjeje, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, dhe kjo mund t’u shërbejë interesave të tij.

Por, unë mendoj se kjo është një strategji afatshkurtër.

Është në interes të Kosovës dhe të Kurtit që të ruajnë një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara, sepse, në fund të fundit, angazhimi i SHBA-së dhe i Evropës do të jetë thelbësor për të përfunduar procesin e normalizimit me Serbinë.

SHBA-ja eksploron çdo mundësi për të tejkaluar bllokadën institucionale

Radio Evropa e Lirë: Disa media në Prishtinë raportuan të premten pasdite se Ambasada e SHBA-së ka thirrur liderët e partive deri më tash opozitare, për të diskutuar formimin e qeverisë. A mund të ndodhë që Uashingtoni po konsideron të mbështesë një qeveri pa Kurtin?

Charles Kupchan: Mendoj se është shumë e vështirë të thuhet. Situata politike brenda Kosovës që nga zgjedhjet e fundit ka qenë jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Fakti që jemi në mes të shtatorit dhe ende nuk është formuar qeveria, tregon për mosfunksionimin që ka kapluar vendin. Ndaj, supozoj se Shtetet e Bashkuara po eksplorojnë çdo mundësi për të tejkaluar këtë bllokadë.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se partitë deri tash në opozitë duhej të ishin treguar më fleksibile gjithashtu, në lidhje me formimin e qeverisë së re?

Charles Kupchan: Konsensusi dhe kompromisi janë thelbi i demokracisë. Nuk dua të fajësoj ndonjë parti të veçantë, por, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë në rajon, të gjitha partitë duhet të bashkohen për të formuar një qeveri funksionale.

Kjo kërkon kompromis, lëshime dhe negociata me mirëbesim nga të gjitha palët.

JU REKOMANDOJMË

PSD me aksion, Vetëvendosje e ka ‘’kapur’’ Prokurorinë e Shtetit

PSD me aksion, Vetëvendosje e ka ‘’kapur’’ Prokurorinë e Shtetit
17/03/2026 - 11:46

Partia Social Demokrate e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion para objektit të Prokurorisë së Shtetit. Në një prononcim për media gjatë aksionit, i pari...

Më shumëDetails

Punëtori në Gjilan ra nga tri metra lartësi – Ishte duke punuar në objektin e kompanisë “H – Projekt”

Punëtori në Gjilan ra nga tri metra lartësi – Ishte duke punuar në objektin e kompanisë “H – Projekt”
17/03/2026 - 11:37

Në Gjilan një punëtor është lënduar derisa ishte në vendin e tij të punës. Ai ka rënë nga një lartësi rreth tri metra. Insajderi mëson se ngjarja ka...

Më shumëDetails

Rrëzohet nga lartësia një punëtor, arrestohet pronari i firmës

Rrëzohet nga lartësia një punëtor, arrestohet pronari i firmës
17/03/2026 - 11:23

Një punëtor raportohet se është rrëzuar nga një lartësi prej tri metra derisa ishte duke punuar, transmeton Gazeta Online Veriu.info. Ngjarja ka ndodhur në Gjilan dje rreth orës...

Më shumëDetails

Ambasada amerikane mirëpret kompromisin e Kurtit: Çdo ndryshim që prek komunitetin serb të bëhet me miratimin e tyre

Ambasada amerikane mirëpret kompromisin e Kurtit: Çdo ndryshim që prek komunitetin serb të bëhet me miratimin e tyre
17/03/2026 - 11:03

Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Europian lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt. Në një përgjigje për Express një...

Më shumëDetails

Shpenzimet e VV-së për fushatë, Muharremi: Partia e ndihmave sociale paska shpenzuar mbi 4 milionë euro

Muharremi i ashpër me Kurtin: Çka ka lidhje sa komuna i fiton kur kokën e fut nën dhe për hallet që kemi?
17/03/2026 - 10:49

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar shpenzimet e mëdha të VV-së për fushatë zgjedhore. Duke ironizuar, ai ka bërë me dije se VV-ja, e cila njihet si parti e...

Më shumëDetails

Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje

Pas PDK edhe AAK kërkon shkarkimin e Rozeta Hajdarit
17/03/2026 - 10:20

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit. Në një aktvendim të nxjerrë të premten e javës së shkuar, më 13 mars, një trup gjykues...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Punime në katin e 10-të pa skele – Inspektorati: “Syla Group” ekspozoi punëtorët ndaj rrezikut për jetë (Dokument)

    Punime në katin e 10-të pa skele – Inspektorati: “Syla Group” ekspozoi punëtorët ndaj rrezikut për jetë (Dokument)

    117 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 29
  • Ky është personi i vrarë në Gjakovë, vëllau tjetër është i plagosur

    105 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • Këta janë “të fortit” e Prizrenit që po kërkohen për fajde

    94 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Pamje ekskluzive: Polici special shan dhe kërcënon me allti qytetarin, akuzohet edhe se vodhi cigare të destinuara për terminalin doganor

    198 Shpërndaje
    Shpërndaje 79 Tweet 50
  • BIK-u shtrenjton vitrat këtë Ramazan, këto janë çmimet e reja

    129 Shpërndaje
    Shpërndaje 52 Tweet 32

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë