Kryeministri Edi Rama, kërkon miratimin e rezolutës kundër raportit të Dick Marty. Opozita në Shqipëri, ka rekomanduar t’i jepet ‘përkrahje nismës së Kosovës lidhur me padinë për gjenocid të Serbisë në Kosovë.
Rama tha në replikën e fundit:
“Gjaku dhe nderi i UÇK-së, nuk janë menu ku fut hundët gjenerali juaj i ushtrisë së vdekur, që do të mbledhë këtu të tëra kockat e Ballkanit për t’i bluar me demek në emër të kombit dhe dinjitetit kombëtar.
(Sali Berishës, v.j) Je i padëshiruar me i padëshiruar me çertifikatë, të vulosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vulë dhe me firmë, dakord?
Oqeani iku, tani ikën Gjibraltari, Kanali i La Manshit. Mbyllet kontinenti.
Si mund ta kantadisni ju gjithë atë lëvizje demokratike, gjithë atë histori në thesin me kocka të një vdekuri që sillet si i gjallë dhe vjen vërdallë.
Kjo ka rëndësi, sepse Kosova, UÇK, sepse gjaku i të gjitha viktimave, heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës, përdoret për atë thes.
S’ka lidhje fare, ç’ne na doli kjo kujtesë, ndërkohë që ne duhet të merremi me këtë, me këtë, raportin e Dick Martyt, është akoma i vulosur e firmosur në Këshillin e Evropës.
Duhet t’i themi tani Këshillit të Evropës, rrëzojë atë raport, sepse është i pabazë.
Dhe, absolutisht, nuk është vetëm Hashim Thaçi, po pa Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje, thjesht i ngul Kosovës një thikë mu në fyt, historisë së saj, shkel mbi gjakun dhe pështyen mbi kockat e gjithë heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës.
Nuk i takon njeriu këtu. Se nuk jemi duke folur për presidentin e Kosovës, po flasim për një akuzë që shkon përtej personit”, tha ai.
Rama tha se opozita në Shqipëri, gjithmonë ka shfrytëzuar ‘viktimat e Kosovës’ për ndonjë çështje.
Ai akuzoi rëndë Partinë Demokratike, se me votat e saj është bërë raporti i Dick Martyt, duke u shprehur tutje, se ‘ia kanë ngulur në gjoks thikat Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit’.













