Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar viza. Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një qytetari nga Peja, i cili ia ka dhënë një personi një shumë të të hollave që nga viti 2017, por vizën nuk e mori as pas pesë vitesh.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se qytetari që u mashtrua Ka vendosur sot që ta denoncojë personin me të cilin bëri marrëveshje, duke e raportuar në Polici. Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve thuhet se në vitin 2017 ai e ka paguar personin F.K., rreth 1500 euro, për t’ia rregulluar një vizë për Çeki.
Por që nga ajo kohë, përveç që nuk e mbajti premtimin, i dyshuari as të hollat nuk ia ka kthyer viktimës, çka e mllefosi këtë të fundit dhe kërkoi ndihmë nga Policia pas gjithë këtyre viteve.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka arrestuar të dyshuarin që u denoncua, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me pretendimet e personit që dyshohet se e mashtroi.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” dhe të merren veprimet e tjera hetimore.












