Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marko Rubio, në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ky është takimi i parë zyrtar midis Vuçiqit dhe Rubios, dhe në takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.
Zyra për shtyp e Sekretarit Rubio, ka njoftuar për takimin, duke thënë se është diskutuar edhe Dialogu Strategjik mes dy vendeve.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe diskutuan për thellimin e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, përfshirë edhe përmes një dialogu strategjik dypalësh dhe pjesëmarrjes së SHBA-ve në EXPO 2027” –thuhet në njoftimin për shtyp të Zyrës së Rubios.
Pas bisedës, Aleksandar Vuçiq, ka shkruar në profilin e tij në Instagram.
“Fokusi i bisedës ishte në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, veçanërisht për sa i përket zgjidhjes së çështjes së tarifave amerikane. Diskutuam gjithashtu për mundësitë e investimeve të reja, bashkëpunimin në fushën e energjetikës dhe teknologjive të reja, si dhe perspektivat që ofron mekanizmi i dialogut tonë strategjik.”












