Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se objekti që ra në një fushë në lindje të Polonisë, në orët e para të së enjtes, me shumë gjasa ishte një raketë ruse.
Objekti i paidentifikuar shkaktoi një krater rreth 10 metra të gjerë pranë fshatit Tarnawa Kolonia, rreth 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën, gjatë një sulmi masiv rus ndaj qytetit ukrainas të Lvivit.
“Gjithçka tregon se bëhet fjalë për një raketë ruse Kh-101, por duam të jemi 100% të sigurt për llojin e raketës dhe për atë që e ka lëshuar”, tha Tusk gjatë një mbledhjeje të posaçme të zhvilluar në qytetin e afërt Lublin.
Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë për Punët e Jashtme të Ukrainës, Andriy Sybiha, deklaroi se një raketë ruse Kh-101 kishte hyrë në hapësirën ajrore polake gjatë sulmit ndaj Ukrainës, duke shkelur hapësirën ajrore të NATO-s.
Tusk tha se kishte qenë në kontakt me liderë të tjerë europianë përpara se të shkonte në vendin ku ndodhi incidenti. Ai bëri të ditur se nuk kishte viktima, por e cilësoi ngjarjen si serioze.
“Nuk kishte kërcënim të menjëhershëm, pasi objekti nuk ra në një zonë të banuar. Ne ishim të përgatitur ta rrëzonim nëse do të kishte vazhduar fluturimin”, u shpreh kryeministri polak.
Ministri i Mbrojtjes, Władysłaë Kosiniak-Kamysz, tha se gjatë natës ishin zbuluar rreth 20 objekte pranë hapësirës ajrore polake dhe se po kryheshin analiza për të përcaktuar identitetin e objektit që ra pranë Tarnawa Kolonias.
Ushtria polake e zbuloi objektin rreth orës 03:40 të mëngjesit dhe dërgoi një avion luftarak F-16 për ta interceptuar, përpara se ai të zhdukej nga radarët disa minuta më vonë. Më pas, një helikopter ushtarak u dërgua për të kontrolluar zonën.
Sirena alarmi ajror u dëgjuan në Lublin dhe Krasnystaw, pas sulmeve ruse ndaj Ukrainës fqinje, ku humbën jetën tetë persona. Banorët e Tarnawa Kolonias raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm rreth orës 04:00, ndërsa policia gjeti vendin e përplasjes rreth një orë më vonë.
Që prej nisjes së luftës së gjerë ruse në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, në territorin e Polonisë kanë rënë disa dronë rusë dhe një raketë ruse pa mbushje luftarake.
Në nëntor të vitit 2022, dy fermerë polakë u vranë nga një raketë që ra pranë kufirit me Ukrainën, por më vonë u vlerësua se ajo kishte qenë një raketë ukrainase e mbrojtjes ajrore, e lëshuar gjatë reagimit ndaj një sulmi rus.











