
Kryeministri i Kosovës tha se interesi i tij është vetëm Republika e Kosovës, duke iu përgjigjur kritikave se veprimet e tij po e vështirësojnë përpjekjen e SHBA-së për ta larguar Serbinë nga Moska.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e relativizuar këtë vendim dhe duke theksuar se nuk do të bëjë kompromise në veri me struktura të administruara nga Serbia.
Duke folur para një grupi të rinjsh, Kurti tha se për SHBA-në është me rëndësi të veçantë që Serbia të largohet nga ndikimi i Federatës Ruse, por se kjo nuk është përgjegjësi e tij.
“Nuk mund të bëj kompromise. Ne jemi të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial. Disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë atyre ta shkëpusin Serbinë nga Rusia, por sinqerisht kjo nuk duhet të jetë problemi im. Unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.