
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj edukatores së çerdhes në Lipjan, e cila dyshohet se ka rrëzuar për tokë një fëmijë, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë. Ngjarja ka ndodhur në një çerdhe në Lipjan dhe është raportuar fillimisht nga familjarët e fëmijës të cilët shprehen të tronditur nga incidenti.
Në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, Prokuroria Themelore njoftoi se ka hapur një hetim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti është ende në trajtim dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar përgjegjësinë e personit të dyshuar.