Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti thotë se qytetarët nuk mashtrohen rreth votimit për kryetarë të komunave.Në Maratonën Zgjedhore të Klan Kosovës, Dërguti tha se qytetarët njohin më nga afër kandidatët për kryetarë të komunave.
“Njerëzit në zgjedhjet lokale janë më të sigurt në mënyrën se si votojnë. Sepse përderisa në zgjedhjet parlamentare njerëzit votojnë në bazë të përshtypjes që krijojnë nga debatet, diskutimet në televizion, në zgjedhje lokale janë kandidatët që janë rritë bashkë, kanë qenë në shkollë bashkë, njihen në ndonjë moment, i dinë disa detaje, dhe nuk mashtrohen rreth kandidatëve në zgjedhje lokale”, u shpreh opinionistja.Ndër të tjera, Dërguti foli edhe rreth zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, Nenad Rashiqin, dhe që sipas saj, kjo seancë u përdorë nga partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Meqë nuk u arrit qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që ka dalë e para në zgjedhje, të shkaktojë zgjedhje parlamentare dhe lokale njëkohësisht, siç duket gjithçka tjetër e vë në funksion të kësaj. Edhe seanca e djeshme e cila do të mund të shtyhej lirisht deri të dielën pas orës 19:00, e cila mendoj se do të ishte gjë më korrekte, të mos dukej si një lloj ndërhyrje, u shfrytëzua dje të kryhej një lloj votimi që ka konsekuenca të tjera që do të vinë e do t’i shohim më vonë. Megjithëse u përdor edhe ajo seancë në kuadër të propagandës ndaj kundërshtarëve politikë”, tha ajo.