Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka reaguar sot Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kjo e fundit një ditë më parë tha se Rama duhet të tregojë pendesë sepse kishte ndikuar në bindjen e palëve për votimin e themelimit të Gjykatës Speciale.
Rama ka thënë se LVV-ja po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë “në çorbën e balotazheve komunale”. Ai i ka kujtuar se Specialja qe ngritur për trafikimin me organe, dhe jo “për të marrë peng presidentin” e Kosovës.
Nga VV-ja kanë reaguar duke kërkuar sërish nga Rama që të tregojë se a ka ardhur me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Zëdhënës i VV-së, Arlind Manxhuka në një postim po ashtu ka thënë se Rama duhet të tregojë se në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë.
Të tjerat, ka thënë ai janë për “konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik”
Postimi i plotë i Manxhukës:
Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më konkretisht ai mund të tregojë:
1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale?
2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?
3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik.