Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj, e ftuar në emisionin “DPT Te Fidani”, ka komentuar iniciativën e partisë së saj për testimin e deputetëve për përdorim të drogës.
Kadrijaj ka bërë të ditur se edhe vetë i është nënshtruar testit dhe se rezultati i saj ka dalë negativ.
“Mendoj që nuk është i dinjitetshëm dikush që konsumon drogë me qenë në nivele të larta vendimmarrëse. Po i sfidoj, bëjeni, sikur që e bëra unë… Ne e dimë sipas statistikave që është në rritje ky fenomen në Kosovë, sidomos te fëmijët”, ka deklaruar ajo.
Më tej, Kadrijaj ka thënë se sipas mendimit të saj, në politikë ka persona që përdorin drogë.
“Mendoj që po, mendoj që ka njerëz që e përdorin drogën, shihen prej sjelljeve, prej gjesteve”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka theksuar se përdorimi i drogës është një fenomen që po rritet në Kosovë dhe ka kërkuar që deputetët të përballen me këtë çështje përmes testimit.













