Reshjet e shiut nuk kanë ndaluar qytetarët të cilët kanë nisur pak nga pak duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë lidhur me protestën në mbështetje të lidëreve të UÇK-së, e cila do të nisë orën 17:00.
Atmosfera në shesh është duke u “gjallëruar” minutë pas minute, teksa shqiptarët e Kosovës mbërrijnë në Tiranë.
78-vjeçari, Daut Maloku pavarësisht moshës, ka udhëtuar nga Prishtina herët në mëngjes.
Ai për “Euronews Albania” shprehet se në Hagë po devijohet e vërteta dhe se lufta Çlirimtare ka qenë e pastër duke e krahasuar me lotin prandaj duhen përkrahur liderët e UÇK-së.
“Do të jetë një miting mbarëkombëtar për mbrojtjen e vlerave sublime themelore të UÇK. Kjo është e rëndësishme të tregojmë se këto vlera i kemi amanet nga dëshmorët, që gjithmonë ti respektojmë. Ajo që po ndodh në Hagë është e po dyshojmë se ka devijim nga e vërteta. Lufta çlirimtare ishte e pastër si loti,” tha ai.
Një shqiptar i Kosovës së bashku me miqtë e tij, i cili ka udhëtuar nga Zvicra që të jetë pjesë e protestës, tha se është një ditë e rëndësishme për të dhënë përkrahjen e tyre ndaj liderëve të UÇK-së.