Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) ka thënë se Izraeli është i detyruar që ta lehtësojë hyrjen e ndihmave humanitare të Kombeve të Bashkuara dhe entiteteve të saj në Rripin e Gazës për t’u siguruar që nevojat themelore të popullsisë civile palestineze janë përmbushur.
Një opinion këshillëdhënës nga gjykata më e lartë e OKB-së gjithashtu tha se Izraeli nuk i kishte konkretizuar pretendimet se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka mungesë neutraliteti ose që një numër domethënës i punonjësve të saj janë anëtarë të Hamasit ose të grupeve të tjera të armatosura. UNRWA-ja i ka mohuar akuzat, raporton televizioni.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara e quajti “të turpshëm” opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përderisa opinioni nuk është ligjërisht i detyrueshëm, ai bart peshë të konsiderueshme morale dhe diplomatike, raporton televizioni BBC.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi nga GjND-ja në dhjetor një opinion rreth detyrimeve ligjore të Izraelit ndaj agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Gaza.
Kërkesa erdhi pasi Kuvendi i Izraelit miratoi ligje me të cilat agjencisë UNRWA i ndalohej çfarëdo aktiviteti në territorin izraelit dhe çfarëdo kontakti me zyrtarët e këtij vendi.
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjithashtu iu kërkua që në opinionin e saj të mbulohej edhe detyra e Izraelit për ta lejuar shpërndarjen e papenguar të dërgesave themelore te civilët palestinezë.
Izraeli e ashpërsoi bllokadën e tij ndaj Gazës pas fillimit të luftës me Hamasin para dy vjetëve dhe prej asaj kohe e ka kufizuar – dhe në periudha të caktuara e ka ndalur tërësisht – hyrjen e ushqimit dhe ndihmave të tjera për popullsinë prej 2,1 milionësh të enklavës palestineze.