Gjykata e Durrësit ka dhënë sot vendimin për anëtarët e familjes Meta, dy djemtë, vajzën dhe gruan, të cilët në bashkëpunim vranë dhe groposën babain e tyre, Pëllumb Meta, ngjarje e ndodhur në Shënavlashit në Durrës dhe që u zbulua më 10 shkurt 2024.
Me burgim të përjetshëm u dënua djali Hysen Meta, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta e më pas i groposi trupin.
E motra e tij, Hygerta Meta është dënuar me 8 vite burg, nga 30 vite që kishte kërkuar prokuroria ndërsa i vëllai, Amarildo Meta është dënuar me 5 vite burg.
E ëma e tre fëmijëve, apo bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta është dënuar me 3 vite burg.
Si ndodhi krimi:
Sipas organit të akuzës më 10 Shkurt 2024, viktima Pëllumb Meta mësohet se ka lënë punën dhe është kthyer në banesë në orët e para të mëngjesit. Ndërsa rreth mesditës, teksa i ndjeri ka qenë në kuzhinën e banesës, djali i tij Hysen Meta, në prani edhe të të pandehurës Hygerta, ka marrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë.
Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar nme mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit, informon Prokuroria.
Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga Hysen Meta.
Ai ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij.
Gjatë gjykimit Hygerta Meta është e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ku ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hysen Meta në prani të saj.
Ndërkohë në mometin e kryerjes së vrasjes, djali i vogël i familjes, Amarildo Meta ka qenë në punë.