Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe pa hequr dorë nga koncepti i ashtuquajtur “bota serbe”.
Në një intervistë për gazetën kroate Jutarnji List, eurodeputeti kroat theksoi se pa normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë integrim në BE.
“Integrimi i të dyja vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese gjithëpërfshirëse për normalizimin raportesh mes dy shteteve,” tha Picula.
Ai kujtoi se ndonëse dialogu u ripërtëri më 2023, situata nuk ka shënuar përparim.
“Në vend që kapet momentumi, erdhi te një seri e vërtetë të krizave, që më seriozja ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës,” tha ai.
Picula komentoi gjithashtu për sulmin e grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq në Banjska, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për stabilitetin në rajon.
“Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit ndaj sulmuesve në Banjskë të jetë njëri nga kriteret për vlerësimin e plotë situatës në Serbi dhe aftësisë së e Beogradit që të ecë në rrugën evropiane. Edhe Zyra e BE-së në Kosovë, mendoj rishtazi u ka thënë autoriteteve në Beograd, se pret së shpejti arrestimin dhe procedimin e atyre që kryen sulmin në Banjska, e të cilët ndodhen në Serbi. Për fat të keq, Beogradi edhe më tutje injoron kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit gjyqësor që pritet dhe ka shumë gjasë që kjo po ndodh me urdhrin e kreut shtetëror,” tha Picula.
Eurodeputeti kroat theksoi se ky qëndrim reflekton edhe brengën e institucioneve të BE-së për mungesën e përparimit në drejtim të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal nga ana e Serbisë.










