Një incident i rëndë është regjistruar pas mesnate në qytetin e Ferizajt, ku dy persona kanë përfunduar në pranga pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pas orës 00:30, në rrugën “Sadik Tafarshiku”, te lokali “Puerto Rico”, pas disa ankesave të përsëritura për muzikë me zë të lartë.
Sipas informacioneve të besueshme, patrulla policore pas arritjes në vendin e ngjarjes kishte tentuar të gjobiste përgjegjësit e lokalit për prishje të rendit dhe qetësisë publike, por këta kishin refuzuar urdhrat ligjorë të policisë.
Në ato momente, një turmë personash ishte grumbulluar rreth veturës zyrtare, duke penguar policët në kryerjen e detyrave. Për shkak të situatës së tensionuar, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin sprej për shpërndarjen e turmës, pasi ishte rrezikuar siguria e tyre.
Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari Hafir Gashi ka sulmuar me grusht në gjoks policin, ndërsa një grua, ende e paidentifikuar, ka goditur me grusht në kokë policin tjetër.
Të dy zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor për lëndime të lehta.
Nga incidenti, edhe policët kanë pranuar tretman mjekësor për irritime si pasojë e përdorimit të sprejit.
Përveç Gashit, policia ka arrestuar edhe Salih Berishën, i cili dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e stacionit lokal dhe ata rajonal, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.














