Albin Kurti ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e qeverisë “Kurti 3”.
Për të si mandatar për formimin e qeverisë ditën e djeshme votuan pro vetëm 55 deputetë, ndërsa kundër votuan partitë e ish-opozitës dhe katër vota qenë abstenim.
Por a do të kenë mundësi partitë e ish-opozitës të krijojnë qeverinë?
Në një përgjigje për Indeksonlinen, analisti politik Ylli Hoxha shprehet se opozita nuk ka treguar shenja vullneti për krijuar qeverinë.
‘’Opozita nuk ka treguar shenja vullneti për të krijuar qeverinë, prandaj, presidentja duhet sa më shpejt të vendosë për datën e zgjedhjeve të reja’’, thotë Hoxha për Indeksonline.
Sipas Hoxhës bazuar në një aritmetikë afatesh ligjore zgjedhjet e reja mund të mbahen gjatë muajit dhjetor.
Por sa mund të ndikojë negativisht në aspektin ekonomik mos krijimi i një qeverie?
Lidhur me këtë Hoxha thotë se dështimi për të krijuar institucione përgjatë vitit 2025 natyrisht se ka një kosto për Kosovën.
‘’Dështimi për të krijuar institucione përgjatë vitit 2025 natyrisht se ka një kosto për Kosovën. Mungesa e buxhetit dhe mospërfitimi i fondeve të BE-së të alokuara për Kosovën jane dy shembuj tipikë të pasojave të një jete të shthurrur institucionale’’, thotë Hoxha për Indeksonline.
Tashmë topi është te presidetja e vendit, Vjosa Osmani për të caktuar emërin e mandatarit të ardhshëm.













