Belgjika ka ngritur sërish alarmin për sigurinë e instalimeve të saj ushtarake, pasi tre dronë të mëdhenj u panë duke fluturuar të shtunën në mbrëmje mbi bazën ajrore Kleine Brogel, në verilindje të vendit — një nga zonat më të ndjeshme ushtarake në Evropë, që dyshohet se strehon armë bërthamore amerikane.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, konfirmoi incidentin, duke e përshkruar si “një ngjarje aspak të rastësishme”.
“Sipas vlerësimeve paraprake, nuk bëhej fjalë për një fluturim normal, por për një mision të qëllimshëm mbikëqyrjeje që synonte bazën,” deklaroi ai.
Menjëherë pas raportimit, helikopterë ushtarakë dhe patrulla policie u angazhuan për të ndjekur objektet e paidentifikuara, por pasi i ndoqën për disa kilometra në veri, dronët u zhdukën nga radarët. Hetimet janë ende në zhvillim për të përcaktuar origjinën dhe autorët e fluturimit.
Ky incident nuk është i pari i këtij lloji. Vetëm gjatë muajit tetor, Belgjika ka regjistruar disa episode të ngjashme: më 25 dhe 28 tetor, dronë janë raportuar mbi bazën Marche-en-Famenne, ndërsa më 10 tetor, rreth 15 avionë pa pilot fluturuan mbi bazën Elsenborn në juglindje të vendit.
Baza Kleine Brogel konsiderohet një nga pikat më strategjike të sigurisë kombëtare belge. Aty operojnë Forcat Ajrore Belge, ndërsa sipas burimeve jozyrtare, strehohen kokë bërthamore B61 nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Ngjarja ka rindezur debatin në Belgjikë për sigurinë e infrastrukturës strategjike dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore kombëtare, në një kohë kur Europa po përballet me rritjen e kërcënimeve hibride dhe veprimeve të mbikëqyrjes së paautorizuar./TCH














