Plot 65 nga 81 vendet e kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut përfunduan në duart e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
Këtu hyn edhe partneri i tretë qeveritar, ZNAM, që mbetet në krye të pushtetit lokal në komunën më të madhe të vendit, Kumanovë.
Kjo do të thotë se partnerët qeveritarë, përveçse kanë pushtetin qendror, gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të qeverisin edhe në nivel lokal në mbi 80% të komunave dhe qyteteve të vendit.
“Këto ishin zgjedhje lokale dhe ndoshta u fokusuan te problemet lokale, por duket qartë se me këtë pushtet, gjithçka do të jetë në duart e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it – nga kanalizimi deri tek integrimi evropian. Mendoj se pasi të kalojë kjo eufori, ata do të përballen me presione të drejtpërdrejta, sepse gjithçka duhet të zgjidhet prej tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë gazetari dhe analisti politik, Nazim Rashidi.
Ai thekson se partitë nuk duhet ta shohin këtë vetëm si “rezultat të mirë për to”, por duhet të mendojnë edhe për përgjegjësitë shtesë.
“Tani, gjithçka do të varet nga veprimet e tyre”, thotë Rashidi.
Nga 65 vendet e kryetarëve të komunave të fituara nga këto dy parti, 55 i takojnë VMRO-DPMNE-së, ndërsa 10 VLEN-it.
Dominimi është parë tashmë, por a është nxjerrë mësimi?
Edhe pse zgjedhjet lokale e rritën dominimin e një partie në politikën maqedonase, ky nuk është ndonjë ndryshim i paparë më herët, thotë analisti dhe drejtori i Qendrës maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Aleksandar Kërzhalovski.
VMRO-DPMNE, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme kur kishte 42 kryetarë komunash, tani ka edhe 13 më shumë.
Kërzhalovski kujton se edhe para dy cikleve zgjedhore, vendi kishte një përvojë të ngjashme.
Në vitin 2017, partia atëherë në pushtet, LSDM, fitoi 57 kryetarë komunash, ndërsa VMRO-DPMNE vetëm pesë.
“Gjërat ndryshojnë, veçanërisht te ne shumë më shpejt sesa mendojnë të gjithë. Prandaj, besoj se ky mësim është nxjerrë dhe tani do të veprohet më me kujdes”, thotë Kërzhalovski për Radion Evropa e Lirë.
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas shpalljes së fitores së thellë në rundin e dytë, paralajmëroi për kujdes.
“Çdo zgjedhje është një mesazh, dhe këto zgjedhje janë mesazh edhe për ne: të mos e teprojmë me fitoren, por të veprojmë me përgjegjësinë që na dhanë qytetarët dhe ta justifikojmë atë. Të ndryshojmë dhe të përmirësohemi”, tha Mickoski natën e 2 nëntorit.
			
			













