Profesori universitar, Blerim Rexha, ka ngritur shqetësim për rënien e buxhetit të Universitetit të Prishtinës.
Përmes një reagimi publik, profesori ligjërues në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike bëri me dije se UP-ja përfiton vetëm 0.9% të buxhetit të Kosovës.
Sipas tij, ky buxhet ka tendencë të bie akoma më shumë, shkruan IndeksOnline.
Përmes të dhënave, Rexha ka pohuar se në vitet e fundit ka pasur kërkesa për rritje të performancës, të publikimeve shkencore, konferencave dhe aktiviteteve të tjera universitare.
Por, nëse këto aktivitete nuk percjellen me rritje buxheti, profesori parashikon rezultat më të ulët për vitet në vazhdim.
Ky është postimi i plotë i tij:
Rënia e buxhetit të Universitetit të Prishtinës
Këto ditë Universiteti i Prishtinës ka filluar mbledhjen e kërkesave buxhetore nga fakultetet, e këto të fundit nga departamentet – aty ku fillon i gjithë planifikimi. Një praktikë e mirë, e etabluar që moti në UP. Prej gati dy dekadash buxheti i UP-së sillet rreth 32 milionë euro (plus/minus ndonjë milion). Por, përderisa para 20 viteve buxheti i Kosovës ishte afër 800 milionë, UP konsumonte 3,17% të buxhetit të Kosovës, ndërsa vitet e fundit, kur buxheti i Kosovës ka arritur vlerën 3500 – 4000 milionë euro, UP përfiton nga buxheti vetëm 0,9%, me tendencë rënieje të mëtejshme!
Përderisa viteve të fundit kemi pasur rritje të kërkesave për performancë më të mirë ndaj UP-së: për më shumë publikime shkencore, për më shumë konferenca dhe për më shumë aktivitete shkencore dhe profesionale – të gjitha me të drejtë, por nëse kjo nuk përcillet edhe me rritje të buxhetit, rezultati dihet që tani, për të gjithë. Në fakt, me këtë trend, rezultati dihet edhe për vitet e ardhshme!














