Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.I., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes së armës pa leje.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, mbajti seancën dëgjimore në ambientet e QKUK-së në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore të të pandehurit. Ai vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi me lënien e tij në liri mund të rrezikohej rrjedha e procedurës penale – përfshirë arratisjen, ndikimin tek të dëmtuarit ose përsëritjen e veprës.
Sipas vendimit, A.I. do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 dhjetor 2025, duke filluar nga data e arrestimit më 7 nëntor 2025.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.













