Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë një vendim ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e dënuar këtë subjekt politik me një gjobë prej 2,500 euro, pas ankesës së dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në vendimin me numër ZL.Anr.430/2025, të datës 9 nëntor 2025, PZAP ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur Kodit e Mirësjelljes për Subjektet Politike, për shkak të mbështetjes së kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të 2025-ës në mënyrë që nuk ishte në përputhje me rregullat zgjedhore.
Sipas arsyetimit të vendimit, më 9 nëntor 2025, PDK kishte paraqitur një ankesë në PZAP, duke pretenduar se më 8 nëntor, në shkollën e fshatit Bajgorë të Mitrovicës, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një tubim elektoral me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Faton Peci, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të partisë. PDK ka argumentuar se ky aktivitet është mbajtur në kundërshtim me rregullat e fushatës dhe se përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit për ndalimin e aktiviteteve të papërshtatshme gjatë heshtjes zgjedhore.
Pas shqyrtimit të provave dhe raportimeve, paneli i përbërë nga Skender Çoçaj (kryesues), Kymete Kicaj dhe Arsim Hamzaj, ka vendosur që ankesa e PDK-së është e bazuar dhe e pranueshme. Në përfundim, PZAP ka urdhëruar që LVV të paguajë gjobën prej 2,500 euro brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Ky vendim shënon një nga rastet e rralla të dënimeve për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës lokale të nëntorit 2025 dhe shihet si sinjal për subjektet politike që të respektojnë rregullat zgjedhore, sidomos gjatë ditëve të ndjeshme të heshtjes para votimit.













