Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur një delegacion ndërkombëtar të gjeneralëve, kolonelëve e oficerëve tjerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe më gjerë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se takimi u realizua në kuadër të Simpoziumit Ndërkombëtar të Akademive Ushtarake (ISOMA), që po mbahet për herë të parë në Kosovë.
Ky simpozium sipas Osmanit shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën, duke pasqyruar sukseset e Akademisë së Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe kontributin e Kosovës në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes.
Presidentja Osmani theksoi se ky eveniment tregon progresin e Kosovës dhe rolin e saj gjithnjë e më të rëndësishëm në aleancat ndërkombëtare dhe në bashkëpunimin ushtarak me aleatët.
“Krenare me FSK-në! Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë”, ka shkruar ajo.













